Milani gati të ofrojë 10 mln euro për talentin shqiptar të Empolit, Asllanin

Lojtarët e Kombëtares kuqezi po kalojnë momente përgjithësisht të mira me skuadrat e tyre europiane e një pjesë madje kanë rol protagonisti në ekipet e tyre, duke bërë diferencë dhe duke marrë vlerësime maksimale nga mediat sportive.

Padyshim që vëmendjen kryesore e marrin lojtarët që luajnë në Itali, qoftë në Serie A ashtu dhe në Serie B, pasi në këtë vend luajnë lojtarët më të shumtë dhe bërthama e skuadrës përfaqësuese. Këtu është dhe vendi ku trajneri Edi Reja ka gjetur shumicën e lojtarëve të rinj për të bërë revolucionin e tij kuqezi, pra për të përgatitur një skuadër të aftë që të sigurojë kualifikimin në fazën finale të një Europiani (bëhet fjalë për Euro-2024). Ndërkohë, dy lojtarë shqiptarë të Empolit, Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani, janë në planet e Milanit dhe ka shumë mundësi që njëri prej tyre të vishet kuqezi në Milano në merkaton e verës.

Asllani, një talent që vlerësohet tek Empoli

Talenti i U-21, që këtë herë është ftuar nga trajneri Edi Reja në Kombëtare, Kristjan Asllani, është duke zhvilluar sezonin e parë në elitën e futbollit Italian, Serie A, mirëpo kjo nuk e ka bërë të ndrojtur djaloshin shqiptar i cili po shkëlqen me Empolin në drejtimin e trajnerit Aurelio Andreazoli. 20-vjeçari ka koleksionuar 14 paraqitje me fanellën e Empolit duke dalluar me cilësitë e tij në mesfushë, aq sa tashmë ka fituar interesin e klubeve të traditës në Itali. Sipas ekspertit të merkatos në Itali, Alfredo Pedulla, Milan me drejtorin Paolo Maldini është një nga skuadrat më të interesuara për Asllanin, teksa kuqezinjtë po përgatisin një plan për ta bërë të tyrin sezonin e ardhshëm. Aktualisht, klubi i Empolit e vlerëson kartonin e mesfushorit rreth shumës së 10 milionë eurove, ndërsa kuqezinjtë për të shmangur një disfatë në merkato kërkojnë t’i paraprijnë Interit që gjithashtu e vlerëson talentin shqiptar. Ideja e Milanit është që ta përvetësojnë kartonin e Asllanit në merkaton verore dhe më pas ta lejojnë të qëndrojë me Empolin edhe për një tjetër vit, në formë që kur Asllani të mbërrijë në San Siro të ketë eksperiencën e duhur. Kujtojmë se Asllani nuk është lojtari i vetëm nga Shqipëria për të cilin Milan ka interes, pasi në radhët e Empolit është edhe fantazisti Nedim Bajrami që gjithashtu konsiderohet si një futbollist i shkëlqyer dhe me perspektivë të madhe.

Qëndrimi i trajnerit të Empolit

Shqiptarët Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani raportohet se janë të dy objektiva të merkatos së Milanit dhe zërat janë shtuar pas deklaratave të fundit të trajnerit të Empolit, Aurelio Andreacoli i cili ka bërë disa krahasime mjaft interesante. Duke folur për Asllanin, tekniku Andreacoli tha: “Ndaj Milanit ka gabuar vetëm dy pasime. Ka personalitet, Interpretim, kilometra të bërë në fushë… Mund të ketë bërë 12 kilometra, për një organizator është gjë e madhe. Ne që e vëzhgojmë themi se është gjë e madhe, por ka edhe gjëra të tjera”, theksoi trajneri i Empolit për talentin shqiptar i cili do të ftohet në grumbullimin e kombëtares A për miqësoret ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë.

Go to TOP