Mijëra luftëtarë të ISIS-it janë arratisur nga kampi Al-Hol në Siri

Mijëra ish-luftëtarë të organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS) dhe familjarë të tyre dyshohet se janë arratisur nga kampi Al-Hol në veri të Sirisë, duke ngritur shqetësime për sigurinë ndërkombëtare.

Autoritetet siriane kanë bërë të ditur se ende po verifikojnë numrin dhe identitetin e personave të arratisur, që vlerësohet të jetë mes 15 mijë dhe 20 mijë individë, përfshirë mijëra luftëtarë të dyshuar. Sipas tyre, vendndodhja e tyre aktuale mbetet e panjohur.

Arratisjet dyshohet se kanë ndodhur gjatë një periudhe disa javore në muajin janar, kur forcat kurde, të cilat më parë menaxhonin kampin, u tërhoqën dhe përgjegjësia e sigurisë iu kalua autoriteteve qeveritare siriane, duke krijuar vakum sigurie që mundësoi largimin e të ndaluarve.

Agjencitë e inteligjencës kanë paralajmëruar se një pjesë e të arratisurve mund të përpiqen të hyjnë në territorin e Bashkimi Evropian, shpesh duke u fshehur mes grupeve të migrantëve që lëvizin nga Afrika e Veriut drejt Evropës.

Analistët e sigurisë theksojnë se, edhe pse ka humbur kontrollin territorial, ISIS vazhdon të paraqesë rrezik global. Gjatë vitit të kaluar, mbetjet e grupit militant kanë kryer sulme të vogla në Siri dhe vende të tjera, duke tentuar riorganizim dhe rekrutim të militantëve të rinj nga pjesë të ndryshme të botës.

Go to TOP