Miftaraj: Ka dështim total në sektorin e drejtësisë gjatë Qeverisë Kurti
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, vlerëson se ka një dështim total në sektorin e drejtësisë gjatë Qeverisë Kurti, që sipas tij nënkupton që ligjet kryesore nuk janë miratuar, si ligji për KPK-në, ligji për byronë, kodi civil e shumë ligje tjera që në njëfarë mënyrë do t’u mundësonin qytetarëve të kishin një sistem të drejtësisë më të pavarur, më të paanshëm, më të drejtë, më efikas e më profesional.
“Kjo qeveri po ka probleme me të gjitha akterët, si vendorë ashtu edhe ata ndërkombëtarë, kështu që përgjigjen e dështimit duhet ta kërkojë kryeministri te ministrja e drejtësisë, te vet zyra e tij e kryeministrit por edhe te deputetet e LVV-së në Kuvendin e Kosovës, të cilët miratojnë politika që të njëjtat kanë probleme shumë serioze dhe se të njëjtat pothuajse e kanë problem që të kalojnë filtrin në gjykatën kushtetuese”, deklaroi Miftaraj në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova.