Meta: Shqipëri – Kosovë, kemi të paktën një detyrë, shpinën njëra – tjetrës t’ia ruajmë çdo sekondë!

Presidenti Meta: ”Dua të theksoj se jo vetëm Rezoluta e djeshme, por çdo akt që i shërben demontimit të akuzave të Dick Marty dhe kujtdoqoftë – po ne të gjithë e dimë se kush ka qëndruar dhe kush qëndron në mes të këtyre akuzave ndaj UÇKsë – gjithçka është shumë e rëndësishme dhe shumë pozitive.

Unë dua të shpreh bindjen time të plotë dhe të palëkundur që e kam pasur edhe në rastet e tjera të drejtuesve të UÇK-së që kanë fituar pafajësinë dhe i kanë provuar gjithë botës drejtësinë e kësaj lufte çlirimtare dhe vetëmbrojtëse, se edhe ish-Presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli dhe Krasniqi dhe drejtues të tjerë, do të dinë ta mbrojnë me shumë dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës dhe Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë gjithçka në mbështetje të kësaj beteje e uroj e shpresoj që shumë shpejt ata të rikthehen në Kosovë.

Por ajo që dua të nënvizoj është, që Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinojnë çdo ditë me njëra-tjetrën dhe jo vetëm me njëra-tjetrën por edhe me fqinjët e tjerë. Por sidomos Shqipëria dhe Kosova, sepse nuk është thjesht çështja e një procesi kundër drejtuesve të UÇK-së.

Ai është një proces kundër shtetësisë së Kosovës!

Ai është një proces kundër pavarësisë së Kosovës!

Ai është kundër forcimit të pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës dh ne duhet të koordinojmë çdo ditë dhe kemi shumë për të bërë në këtë çështje në të ardhmen, të gjithë aktorët në Shqipëri, shumë më tepër sesa deri sot.

Dhe nëse nuk kemi ndonjë mundësi të jashtëzakonshme për shkak të mundësive apo kapaciteteve si shtet apo qoftë dhe të dyja si shtete, kemi të paktën një detyrë: Shpinën njëra – tjetrës t’ia ruajmë në çdo sekondë dhe së dyti, të forcojmë këtë rrugë euroatlantike, europiane, që pavarësisht nga këto sfida na ka sjellë këtu ku jemi sot dhe ku duam të ecim në të ardhmen.”

Go to TOP