Messi edhe më afër rinovimit të kontratës me PSG-në

Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ka arritur një “marrëveshje në parim” për të rinovuar kontratën e tij me Paris St-Germain, thotë Guillem Balague i BBC Sport.

Messi, 35 vjeç, i cili udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë së Kupës së Botës në Katar, i skadon kontrata me klubin francez në qershor 2023.

Në fillim të kësaj jave, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta tha se “do të donte” që Messi të kthehej në klubin spanjoll ku kaloi 21 vjet, transmeton Klankosova.tv.

Por Balague thotë se Barça nuk i është afruar Messit për një rikthim.

Ai do të nënshkruajë një marrëveshje njëvjeçare me opsionin e një viti tjetër dhe marrëveshja ka ardhur pas katër muaj bisedimesh mes drejtorit të futbollit të PSG-së, Luis Campos dhe babait të Messit, Jorge.

Kjo u pasua nga një takim kyç në Doha me kryetarin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi.

“Praktikisht gjithçka është dakord me PSG-në”, thotë eksperti evropian i futbollit Balague.

“Barcelona nuk i është afruar atij apo babait të tij për t’i ofruar asgjë.

“Pra, nuk është se Messi nuk dëshiron të kthehet në Barcelonë. Atij nuk i është bërë pyetja.

“Messi është i kënaqur me të gjitha dhe kur të kthehet nga pushimet e tij marrëveshja do të përshpejtohet.

“Jeta e tij në Paris është e ekuilibruar, e lumtur, të gjithë po e shijojnë atë dhe ai ka një mundësi reale për të fituar përsëri Ligën e Kampionëve. Plus, kjo do ta ndihmojë atë të jetë përsëri një kandidat për Topin e Artë”.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë u shpall lojtari i turneut në Kupën e Botës, pasi Argjentina fitoi titullin për herë të tretë me një fitore nga penalltitë ndaj Francës.

Go to TOP