Messi do t’i blejë 35 për qind të aksioneve të këtij klubi

Lionel Messi duket se është i vendosur për t’u transferuar me familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mediumi “DIRECTV” njofton se ylli argjentinas do t’i japë fund eksperiencës në futbollin evropian gjatë verës së vitit 2023.

34 vjeçari pritet të transferohet në klubin amerikan, Inter Miami.

Por, kjo nuk është e tëra.

Gjithnjë sipas mediumit amerikan, shtatë herë fituesi i Topit të Artë do t’i blejë 35 për qind të aksioneve të klubit Inter Miami, i cili është në pronësi të legjendës angleze, David Beckham.

Gazetari i mediumit “DIRECTV” po ashtu njofton se kontrata tashmë është në tavolinë dhe se e ka parë një i afërt i tij.

Kjo kontratë, vijon ai, do të nënshkruhet kah mesi i muajit gusht të këtij viti.

Me këtë rast, Messi do të përfundojë në ligën MLS nga vera e vitit 2023, ku do të luajë dhe do të jetë aksionar i klubit.

Me gjasë, ylli argjentinas do ta kalojë edhe një vit në Paris Saint-Germain, ose eventualisht të transferohet në Barcelonë, për sezonin e fundit dhe lamtumirës me “Blaugrana”.

Vitin tjetër ai do të jetë 36 vjeç dhe po planifikon që vitet e fundit të karrierës t’i kalojë përtej Atlantikut. 

Go to TOP