Mësimi fetar në mënyrë të jashtëligjshme nëpër shkolla, i panevojshëm në sy të klerikëve

Shpërndarja e materialit fetar në shkolla, në mënyrë të paligjshme, ka mbetur forma e vetme e atyre që lëndën e edukimit rreth dispozitave të fesë, e duan në këtë institucion. Mirëpo, ky veprim po kundërshtohet nga klerikët, e nga ana tjetër, MASHTI janë kategorikë që këtë lëndë të mos e bëjnë ende pjesë të planprogramit mësimor.
Sa herë që u jepet mundësia për të diskutuar për këtë temë, ekspertë të lëmive përkatëse e potencojnë faktin se sa është e rëndësishme lënda fetare në shkollat publike.

Mirëpo, deri më tani, nuk është marrë asnjë vendim nga ana e MASHTI-t, që kjo lëndë të jetë pjesë e mësimit ditor, gjatë vitit shkollor.

E, dikush, siç duket, ka gjetur një formë tjetër se si nxënësit të informohen rreth fesë, që ata i përkasin.

Ka disa ditë që është ngritur një shqetësim, se si në shkollat e kryeqytetit po shpërndahen libra e fletushka fetare, e një veprim i tillë, është i palejuar nga ana e ligjit.

Sidoqoftë, duke qenë se kjo po del të jetë ‘forma e vetme’ e “futjes së lëndës fetare në shkolla”, MASHTI ka kohë që ka shuar shpresat që një proces i tillë të ndodhë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një prononcim për Syri.net Kosova, ka thënë se nuk do ketë lëndë me edukim fetar në shkollë, pasi Kosova është shtet sekular, por, duhet të pasurohen lëndët mësimore që trajtojnë tema të historisë fetare.

“Kosova është shoqëri multikonfesionale, ndërsa shteti është sekular. Prandaj, shkollat publike janë dhe duhet të mbeten laike. Në shkollat tona mësohet për fenë dhe kjo realizohet në kuadër të lëndëve shoqërore. Jam i mendimit se përmbajtjet mësimore në këto lëndë, si dhe tekstet mësimore të ndërlidhura, duhet të rishikohen dhe të pasurohen në vazhdimësi, në mënyrë që nxënësit të fitojnë njohuri për konfesionet e ndryshme, duke e kultivuar edhe tolerancën fetare. Ndërkaq, mësimbesimi ka të bëjë me praktikimin e fesë dhe ofrohet nga bashkësitë fetare. Kuptohet, pjesëmarrja në programe të tilla është vullnetare” tha zëvendësministri.

Shpërndarjen e fletushkave dhe librave fetarë në shkolla e ka komentuar shkurtimisht, imami kosovar, Adnan Vishi.

Në një prononcim për Syrin ai tha se kjo gjë është e patoleruar dhe është e ndaluar me ligj.

“Shpërndarja e çdo literature fetare nëpër shkolla është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe urdhëresat administrative të Republikës se Kosovës” tha Vishi.

Të njëjtin mendim si të imamit e ka edhe pastori, Fehmi Cakolli.

Cakolli për Syrin tha se derisa lënda fetare s’është prezente në shkolla, shpërndarja e materialit fetar është e ndaluar, mirëpo, bashkësitë fetare janë të lira që detyrën e tyre ta ushtrojnë jashtë institucioneve publike.

“Me urdhëresë administrative, rregullore dhe ligje të Republikës së Kosovës, nëpër çdolloj institucioni publik, komunal apo shtetëror, duke përfshirë shkollat fillore dhe çerdhet, është e ndaluar çdolloj ushtrimi i fesë, çdolloj simboli fetar, çdolloj aktiviteti me baza fetare, çdolloj propagande fetare. Kurse, jashtë objekteve publike e shtetërore, bashkësitë fetare janë të lira të zhvillojnë çfarëdo aktiviteti fetar, sikurse edhe ekspozim e shpërndarje materialesh të tyre, me kushtin që nuk thyejnë rendin dhe qetësinë publike dhe duke mos qene te imponuara e imituese për qytetarët” tha ai.

Kujtojmë që ideja për futjen e lëndës fetare në institucionet e dijes është e kamotshme, por, gjithmonë është gjendur mes dy taboreve, pro dhe kundër.

Go to TOP