Merkel përqafoi dhe forcoi autokratët në Ballkan

Në udhëtimin e saj të lamtumirës, kancelarja gjermane takoi politikanë ballkanikë të rangut të lartë në Beograd dhe Tiranë. Por ajo nuk ka asgjë më shumë për të ofruar për rajonin sesa fraza boshe. Afrimiteti e saj me autokratët është irritues

Shkruan: Enver ROBELlI, Der BUND

Që kur mori detyrën në vitin 2005, Angela Merkel ka udhëtuar disa herë në Ballkan. Ajo erdhi për të shtrënguar duart me ushtarët gjermanë të vendosur në rajon si pjesë e misioneve paqeruajtëse, u takua me politikanë të të gjitha shtresave dhe mbajti një audiencë për shumë përfaqësues të shoqërisë civile. Gjatë këtyre takimeve ajo përsëriste vazhdimisht frazën se Ballkani i përket Bashkimit Europian. Por integrimi evropian ka dështuar për një të ardhme të parashikueshme. Që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013, shtetet e tjera të Ballkanit janë në pritje dhe kanë marrë vetëm ngushëllime. Pranimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO- i vetmi përparim i madh gjatë kësaj kohe- është kryesisht falë amerikanëve.

Merkel vizitoi sërish rajonin këtë javë- ishte një turne lamtumire. Në Beograd ajo u prit nga kreu i shtetit, Aleksandar Vuçiç, që kishte stolisur gjysmën e kryeqytetit serb me flamuj gjermanë dhe e ‘mbuloi’ me komplimente ‘Angelan’ derisa mbeti pa frymë, dhe deklaroi në mënyrë teatrale se është gjithmonë i emocionuar kur takon kancelaren gjermane.

Merkel vlerësoi ‘marrëdhënien shumë të besueshme’ me Vuçiçin. Ai nuk bën premtime të rreme dhe përpiqet që të mbajë fjalën, tha ajo, por nuk dha asnjë shembull. Ishte takimi i 16-të në 9 vite mes Vuçiç dhe Merkel. Autokrati serb as këtë herë nuk kishte pse të druhej nga kritikat. Me fjali të fryra, Merkel tha se Serbia duhet të lëvizë drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë.

‘Ju keni mbështetur diktaturën për 9 vite’

Opozita serbe dhe shoqëria civile reaguan të indinjuar. Aktivistët mbanin një poster në gjuhën gjermane për Merkel: “Shkoni më në fund zonja Merkel. Ju mbështetët diktaturën për 9 vite”. Në fakt, Serbia kohët e fundit ka bërë hapa të mëdhenj prapa. Kushtet në vend janë pothuajse bjelloruse: kreu i shtetit sulmon vazhdimisht opozitën më shpifje, mediat e tij agresive i turren asaj me gjuhën e urrejtjes, ventrilokistët e tij fyejnë popujt fqinjë me parulla raciste dhe shpesh e vënë në diskutim rendin që sundon pas luftës, vrasjet mafioze dhe mbretërit e nëntokës janë pjesë e përditshmërisë.

Në raportet e saj, BE liston një numër aferash korruptive dhe shpreh shqetësimin për ndërhyrjen politike në gjyqësor. “Vendi duhet të rrisë përpjekjet për të shpërbërë organizatat e mëdha kriminale ndërkombëtare, që janë aktive”, thuhet në raportin e fundit të BE-së. Organizata e njohur amerikane, Freedom House e përshkruan Serbinë si një shtet pjesërisht i lirë. Vështirë se Merkel interesohet për detaje të tilla. Afrimiteti i saj me autokratët ballkanikë është irritues. Përsa kohë që ‘stabilokratët’ sigurojnë një qetësi sipërfaqësore, ata tolerohen, madje u nënshtrohen.

Ndalesa e dytë dhe e fundit e turit të Merkel në Ballkan ishte Tirana. Autokrati tjetër e priste të martën në kryeqytetin e Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama tha se askush nuk e kupton rajonin më mirë se kancelarja gjermane. “Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Merkel, është një vizion afatgjatë për të promovuar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit dhe për t’i lidhur ato me BE-në”.

Realiteti është krejt ndryshe: kurrë më parë që nga luftërat e viteve ’90, retorika e Serbisë së Madhe nuk ka qenë më e fortë se tani. Dhe kryeministri shqiptar e mban zjarrin ndezur. Në të kaluarën ai ka mbështetur ndryshimet e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por kohët e fundit sjellja e tij ndaj qeverisë kosovare ka qenë arrogante dhe paternaliste. Ashtu si Vuçic, i cili flet në emër të të gjithë serbëve në rajon, Rama do donte që ta shihnin si patriarkun politik të të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Në Tiranë, Merkel u takua shkurtimisht me krerët e qeverive të Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës për të bërë një bilanc. Heqja e tarifave roaming, krijimi i një zyre për shkëmbimet e të rinjve dhe një numër seminaresh të shoqërisë civile janë përsëritur për vite me radhë si sukseset modeste të Procesit të Berlinit. Çështjet e mëdha nuk adresohen. Kjo përfshin refuzimin e Serbisë për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Politika e sabotimit të Beogradit thjesht pranohet nga BE.

Ndërkohë të rinjtë e arsimuar po largohen masivisht nga rajoni. Sipas një sondazhi të fundit të Gallup, pothuajse 80 përqind e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë përgjithmonë, në Serbi çdo person i dytë nën 30 vjeç ka në plan të emigrojë. Që nga viti 2011, 60 mijë shqiptarë thuhet se kanë aplikuar për azil në një vend të BE-së. Është një eksod që buron nga mungesa e shpresës- një protestë me këmbë- dhe një festival për autokratët: sa më shumë të hollohet klasa e mesme kritike ndaj qeverisë, aq më e lehtë është për burrat e fortë të qëndrojnë në pushtet. Angela Merkel, gruaja më e fuqishme në botë, i ka forcuar mbi të gjitha këta burra në Ballkan.

Go to TOP