Meritat për “Javelin”, Selmanaj: Shteti meriton burrështetas, jo politikanë komikë

Deputeti dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar pas blerjeve të raketave antitank “Javelin” dhe reagimeve të partisë në pushtet, VV-së dhe dy partive opozitare PDK-së e AAK-së në lidhje me meritat për blerjet e tyre.

Selmanaj tha se Kosova po ndërton strukturat dhe kapacitetet e saj mbrojtëse me ndihmën e aleatëve, në veçanti ShBA-ve, dhe çdo përpjekje për marrje meritash nga kushdo, tregon injorancën dhe nivelin delitantë të përfaqësuesve politikë të vendit.

“Kosova, ka marrë vendim për krijimin e Forcës së saj të armatosur, me ndihmën e aleatëve, në veçanti SHBA-ve. Kosova do bëhet pjesë e NATO-s, vetëm kur për këtë do vendosin aleatët tonë e sidomos SHBA-të”.

“Kjo lehtë u konfirmua edhe nga Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA, për gazetën Washington Post, kur u pyet për shitjen e raketave kundërtanke të tipit “Javelin”, për forcat e Kosovës. Shteti meriton burrështetas, jo politikan komik”, shkroi Selmanaj.

Në lidhje me blerjet e raketave antitank “Javelin” fillimisht ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se blerjet e tyre ishin paraparë në planin 10-vjeçar të zhvillimit të FSK-së.

Ndërsa dje deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se e vërteta e blerjes së armatimit nga ShBA-ja, negocimin dhe kontraktimin e bëri ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, në vitin 2018.

Go to TOP