Mediu: Serbia po përdor në Ballkan të njëjtën gjuhë si Rusia me Ukrainën

Kryetari i Partisë Republikane në Shqipëri, ish-ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ka depozituar në parlament një rezolutë për mënyrën se si duhet të angazhohet Shqipëria në lidhje me tensionet në Ballkan.

Në një intervistë në A2, ai u shpreh se Shqipëria i shikon zhvillimet në Ballkan vetëm në lupën e raporteve ekonomike.

“Pavarësisht nga debatet e mëdha të brendshme politike që ne kemi, besoj se është e nevojshme që të diskutojmë në kohë dhe të mbajmë qëndrimet e duhura në raport me interesin tonë kombëtar dhe zhvillimin në rajon, për arsyen sepse është e domosdoshme që t’i paraprijmë çdo lloj fenomeni negativ, për më tepër duhet të kapitalizojmë marrëdhëniet si shqiptarë në rajon, forcën që kemi. Ne i shikojmë zhvillimet në Ballkan vetëm në lupën e raporteve ekonomike. Konfliktet në Ballkan nuk kanë pasur në krye të herës diferencat ekonomike, kanë qenë diferencat e mëdha historike”, u shpreh Mediu.

Por pse u ritensionua tani situata në Ballkan, sipas Mediut?

“Kemi një ndryshim të balancave në Ballkan. Nëse në fillim të viteve 1990 dominanca e SHBA dhe e Evropës ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme dhe influenca e Rusisë dhe Kinës ka qenë e pavlerësuar, nga ana tjetër Turqia ka pasur një linjë pothuajse të njëjtë me vendet e anëtare të NATO, BE dhe SHBA. Tashmë, këto konjuktura kanë ndryshuar. Rusia është më agresive, me prezencë ushtarake, me prezencë të inteligjencës, mediatike dhe nga ana tjetër kemi, po ashtu kemi edhe një prezencë shumë të madhe të Kinës, këto interesa ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në politikbërje. Kemi një bosht aleance që është Rusia, Kina, por shpesh edhe Turqia për qëndrimet që ka. Edhe politikat që ka ndjekur Serbia kanë synuar në disa drejtime. Së pari, nëpërmjet Republika Srbska të thyejnë marrëveshjen e Dejtonit dhe të krijojnë një ndarje, duke aneksuar. Nga ana tjetër, kemi një fuqizim ushtarak të Rusisë edhe me mjete ofensive, të cilat nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen, por tërësisht me qëllime ofensive. Konfliktet e fundit janë me prapaskena fetare dhe etnike në Malin e Zi, probleme të shfaqura në Maqedoninë e Veriut dhe më pas sjellja e Serbisë mbi një marrëveshje që ishte rënë dakord me Kosovën. Narrativi i Serbisë është që, ne do të mbrojmë serbët kudo që janë, është i njëjtë me atë që rusët kanë përdorur në rastin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Janë skenarë të ngjashëm”, u shpreh Mediu.

Sipas tij, Kryetari i Partisë Republikane analizoi disa nga arsye përse Rusia dhe Kina kanë shtuar ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit, gjë që vihet re dhe ditët e fundit në situatën e tensionuar në disa prej vendeve.

Për Mediun, Ballkani ka qenë gjithnjë një rajon interesash për dy fuqitë e mëdha dhe shtoi se Rusia dhe Kina kanë përfituar nga dobësimi i institucioneve demokratike dhe vetë demokracisë.

“Që në kohën e presidencës së Obamës ka pasur një zhvendosje të politikave të Shteteve të Bashkuara nga Atlantiku në drejtim të Paqësorit, kjo jo pa arsye. Konfliktet problemet kanë qenë shumë më të mëdha. Mos të harrojmë që ka pasur dhe problematika për shkak të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Për më tepër ka pasur dhe një dobësim të mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe demokracisë në këto vende. Këto vende janë kthyer në demokraci të njerëzve të fortë që në mënyra korruptive tentojnë të kontrollojnë jetën demokratike. Në këtë situata politikat e Rusisë u bënë më agresive”.

“Rusia ka qenë kundër anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në NATO. Prezenca ruse është jashtëzakonisht e fuqishme në Ballkan sidomos me bazën e inteligjencës që ka në Nish, me marrëdhëniet ushtarake dhe stërvitjet që ka zhvilluar me Serbinë, po ashtu dhe Republika Srpska. Nga ana tjetër, kemi dhe një prezencë shumë herë më të fuqishme të Kinës, me iniciativën ekonomike të 17+1. Janë shumë qeveri, qoftë Maqedonia apo Mali i Zi që janë debitorë ndaj Kinës për kredinë që ata kanë dhënë. Të gjitha këto faktorë e kanë sjellë Ballkanin në një lloj kryqëzimi interesash, që duhet t’i analizojmë mirë”, u shpreh Mediu.

Go to TOP