Me rastin e vizitës së kryeministrit të Irlandës, blindohen disa rrugë nga aeroporti dhe në qytet

Kryeministri i Irlandës do të qëndroj në një vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë. Policia ka ndërmarrë të gjitha masat për sigurinë e eskortës së delegacionit irlandez. Disa rrugë pritet të blindohen nga forcat e sigurisë ku do të parakalojë eskorta e kryeministrit.

Sipas një njoftimi zyrtar të policisë nga data 10 deri më 11 janar 2024, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Kryeministri i Irlandës, zotëri Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues.

Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës,  Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thekson policia. /Kosova.info/

Go to TOP