Më 15 janar ndizen qirinjtë për viktimat e gjenocidit në Kosovë

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” u ka bërë thirrje qytetarëve që më 15 janar 2024 duke filluar nga ora 19:30, të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Ndezja e qirinjve do të bëhet në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë.

“Të përkujtojmë se viti 2024 shënon një çerek shekulli i gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin e kanë zbatuar forcat serbe gjatë luftës së fundit”, thuhet në komunikatën e dërguar nga kjo qendër.

“Siç kemi bërë thirrje edhe më herët, shfrytëzojmë rastin që edhe njëherë të ftojmë institucionet qendrore e lokale të Kosovës, partitë politike, organizatat joqeveritare e të gjithë qytetarët, që këtë çerekshekull të gjenocidit mbi popullin tonë ta shënojmë në mënyrë sa më të dinjitetshme, duke treguar përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare”.

“Më 15 janar, pikërisht në ditën që Kuvendi i Kosovës e ka caktuar si ditën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, aktivistët e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të bëjnë ndezjen e qirinjve. Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet”, thuhet në komunikatë.

Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre.

“Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë kufijve të Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2024 nga ora 19:30”, thuhet tutje.

Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre.

“Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë”, shton kjo qendër.

“Ftojmë gjithashtu organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet përkujtimi.

Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!”, thuhet në fund të kësaj komunikate.

Go to TOP