Mbramë recitova si t’mos isha shitës librash po artist me dekoratë!

Shkruan: Çun Lajçi

E hoq nga koka kapuçin! E drejtoi kah qielli e mendja i shkoi ta tundë si shaminë. Ti çoi t’faluna atij që s’ia mori shpirtin edhe kësaj vere! Por jo s’e tundi. E rrotulloi n’gishtin tregues dhe eci si pelegrin mes turmës së ngazëllyer. T’përlotur shumica nga ta.

Në sallën e vogël me pak drita, celularët e filmojnë artistin e mbështjellun fletë-fletë me fjalët e Padër Gjergjit. I rrëmbyer nga arti predikon si meshtari:
”Prandaj s’ka as Krajl as Mbret qi këtë tokë e falë a e shet, der sa t’ketë nji zog shqiptari, qi ban hije pëmbi dhe”! Dhe plisin e lëshon me temena në Mbretninë e vet që avullon art. S’flet ma. Ka thanë gjithçka për ata që kanë dashtë me kuptua!Tani i flet shikimi e heshtja e jehona e fjalëve t’veta: Kapuçi e ka kokën e koka e ka kapuçin. Plis e kokë e bajnë e shqiptarin t’bardhë kudo qofshin ata.
Atëherë brofin n’kambë e duartrokasin pafund!
Priftërinjëve iu shkëlqejnë sytë. E kan prijetar At Gjergj Fishtën e s’përmbahen ta shfaqin admirimin për te!
Im Zot Dodë Gjergji e lëshon edhe zanin: Edhe nji, edhe nji, edhe nji!
Sa e fuqishme asht fjala, pëshpëris, kur artistit i flet shpirti jo gërmazi!
Misioni i kishës katolike, në Lucern, mbramë vërtetë e kreu misionin e vet. E festoi 30 vjetorin e ekzistencës, këtu n’Lucern, dhe foli shqip e shqip e shqip!
Radio Maria e Kosovës i shpërndau fjalët e arta: ___Grish Kosovën bashkoje Rekën… bahuni bashkë si kokërrat n’shegë…
I shteruem fjalësh këthehem të Restorant Luxsi. Aty na pret prap Fadil Hasani i Ferizait, pronari i 7 retoranteve t’Lucernit. S’kursen kurgja për mysafirët nga Kosova. Shtron dreka e darka!
Artist, m’thotë, ta zbrazim nga nji lang t’kuq?!
Gazmend Dedaj ndërhynë: S’ka pas nevojë me therë Krishtin për pak venë t’kuqe o Fadil, dhe qeshemi pafundësisht n’mes natë!
Eh!
Mbas shumë vuejtjesh e mundimesh, mbramë recitova si mos t’isha shitës librash, po artist me dekoratë!
Lucern, 23.10.2022

Go to TOP