Mbi 1600 arkitektë e inxhinierë të rinj

Mbi 1600 arkitektë e inxhinierë i janë bashkuar listës së anëtarëve të Odës së Arkitektëve dhe asaj të inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për media tha se po përmbyllet një proces i rëndësishëm në sektorin e ndërtimit, të cilin e quajti historik.

“Arkitektë janë 766, inxhinierë të ndërtimit janë 696, inxhinierë të elektroteknikës janë 124, inxhinierë të makinerisë janë 83 dhe numri total është 1669 arkitektë dhe inxhinierë të cilët tash janë anëtarë të odave të arkitektëve dhe inxhinierëve”, tha ministri Aliu.

Ai tha se në dhjetor do të mbahet edhe kuvendi i odave, në të cilin do të zgjidhen organet me kompetenca të plota për procesin e licencimit të inxhinierëve të tjerë.

“Sot zyrtarisht e hapim edhe fazën e aplikimit për nominim, nominimi për pozitat e bordit dhe pozitat ekzekutive Brenda odës e të cilët do të zgjidhen nga anëtarët e odës me votë, pra procesi I nominimit fillon sot”, shtoi Aliu.

Ndërsa, Xhemajl Metolli, kryetar i komisionit e cilësoi procesin tejet sfidues.

“Me krijimin e odave do të adresohet përgjegjësia profesionale, kështu që kriteret për të qenë i licencuar nuk janë edhe aq të komplikuara, e as të zorshme, por janë bazuar në tri parime, të pasurit njohuri universitare, të jetë i regjistruar në odë dhe përvoja e punës”, tha ai.

Afati për aplikim në dy odat zgjat 15 ditë dhe secili anëtar i odës ka të drejtë të nominojë dikë tjetër ose vetën.

Go to TOP