Mbështetja e Gjermanisë për futbollin në Kosovë, Presidenti i FFK pret ambasadorin Jörn Rohde

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të martën ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Në takim ishte i pranishëm edhe u.d. Sekretari i Përgjithshëm, Markus Weiner, që gjithashtu është nënshtetas gjerman, si dhe Taulant Hodaj, këshilltar ligjor i FFK-së.

“Gjatë këtij takimi të përzemërt, presidenti Ademi shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka treguar ndaj Kosovës në fusha të ndryshme, e veçmas për futbollin. I pari i FFK-së theksoi rëndësinë e përkrahjes së mëtejme gjermane për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, derisa theksoi se këtë muaj Gjermania do të jetë epiqendra e futbollit, pasi do të jetë mikpritëse e Kampionatit Evropian 2024”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ambasadori Rohde sipas këtij njoftimi, shprehu falënderimet e tij për mikpritjen dhe u shpreh i impresionuar nga progresi që Kosova ka arritur në fushën e futbollit dhe sportit në përgjithësi.

Në përfundim të takimit, presidenti Ademi dhe ambasadori Rohde shkëmbyen dhurata në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, derisa u zotuan për bashkëpunim të mëtejshëm në realizimin e projekteve të përbashkëta. /Kosova.info/

Go to TOP