Mbappe merr një vendim të çuditshëm për karrierën e tij që ka ngjallur debat të madh
Kylian Mbappe, ylli i Real Madridit, ka marrë një vendim të papritur disa muaj pas fillimit të aventurës së tij në klubin spanjoll. 25-vjeçari nuk ishte pjesë e ekipit të Francës për dy ndeshjet e muajit tetor, pavarësisht se u rikthye nga lëndimi për të luajtur për Real Madridin në fillim të këtij muaji.
Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, kishte konfirmuar se Mbappe po vuante nga një problem i cili nuk ishte serioz, por zgjodhi të mos rrezikojë me sulmuesin. Megjithatë, raportime të reja nga Foot Mercato kanë zbuluar se Mbappe gjatë pauzës së fundit me kombëtare i kishte njoftuar Deschamps se nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.
Sipas raportit, Mbappe tashmë ka vendosur t’i japë përparësi vetëm ndeshjeve më të rëndësishme për Francën, duke qenë i shqetësuar për lëndimet për shkak të ngarkesës së madhe të ndeshjeve. Kjo vjen në një kohë kur shumë lojtarë kanë shprehur publikisht pakënaqësinë për kalendarin e mbingarkuar, pas ndryshimeve të formatit të Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës për Klube.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky vendim është diskutuar mes Mbappes dhe hierarkisë së ekipit kombëtar, pasi ai është kapiten i Francës.