Mbahet konferenca “Cyber ZERO ll”, theksohet rëndësia e sigurisë kibernetike

Për herë të tetë në Prishtinë po mbahet Konferenca për Siguri Kibernetike dhe Privatësi “Cyber ZERO ll”. Kjo konferencë bën bashkë përfaqësues të rajonit, ekspertë të vendeve të ndryshme të cilët flasin për rëndësinë e sigurisë kinernetike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se shembujt e sulmeve kibernetike tregojnë fuqinë dhe impaktin alarmues, për çka shtoi se duhet të investohet për mbrojtje.

Ai tha se vizioni i Qeverisë së Kosovës është të krijojë mjedis mjedis kibernetik të sigurt për gjithë, duke shtuar se ky vision është paraqitur edhe përmes Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2023-2027.

“Vizioni dhe synimi i Qeverisë së Kosovës është të krijojë një mjedis kibernetik të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, duke parashikuar dhe zvogëluar rreziqet si dhe duke zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për të trajtuar çështjet e sigurisë kibernetike. Ky vizion është paraqitur përmes strategjisë kombëtare për siguri kibernetike 2023-2027. Kjo strategji fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve ligjore dhe institucionale, promovimin e ndërgjegjësimit, zhvillimin e sektorit privat, bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e kapaciteteve hetuese dhe ushtarake në fushën e sigurisë kibernetike”, deklaroi Sveçla.

Ndërkaq, ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tregoi rastin e sulmit kibernetik gjatë vitit 2022, i cili pati pasoja të mëdha.

Ai tha se si pasojë e këtij sulmi ishin shpërngulur mijëra dokumente prej sajteve të qeverisë dhe se ishin bllokuar shumica e agjensioneve.

“Për fat të keq Mali i Zi ka pasur një sulm jashtëzakonisht të madh në gusht të vitit 2022, i cili është vazhduar edhe në shtator të të njëjtit vit. Në atë moment, me mijëra dokumente janë shpërngulur prej sajteve të ndryshme të qeverisë, janë bllokuar shumica e agjencioneve dhe në atë moment e kemi kuptuar se sulmet moderne apo lufta moderne do të bëhen përmes digjitalizimit…Mali i Zi është ballaquar me situatë të cilën nuk ka mundur ta përballojë edhe në atë moment kemi pasur kërkesa ndaj faktorit ndërkombëtar për të na ndihmuar. Tre grupe ekspertësh kanë ardhur në Mal të Zi, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës”, shtoi Abazoviq.

Ai shtoi se për herë të parë kanë krijuar një qendër rajonale për siguri kibernetike.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Kibernetike Shqiptare, Tanzer Abazi tha se gjatë këtyre dy ditëve do të jenë të ftuar kompani të cilët flasin për sigurinë kibernetike.

“Në këtë konferencë, të gjithë ata që kanë kontribuar sa do pak në ngritjen e vetëdijes, në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, të gjithë ata kanë pasur arsye qe të promovohen. Jam i lumtur që i kemi 60 folës dhe gjithmonë tentojmë të kemi karakter rajonal, të marrin ekspërienca nga gjitha vendet e rajonit, kemi përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjes dhe më gjerë”, tha ai.

Në anën tjetër, Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, në fjalën e saj, tha se një nga sfidat më të mëdha aktuale është siguria kibernetike.

Judd tha se qëllimi i kësaj konference është të lehtësohet një mjedis ku mund të ndahen praktikat më të mira si dhe të shkëmbehen ide për të gjetur zgjidhje inovative për adresimin e sfidave urgjente të sigurisë kibernetike në Kosovë.

“Qëllimi ynë është të lehtësojmë një mjedis ku ju mund të ndani praktikat më të mira, të shkëmbeni ide dhe të punoni së bashku për të gjetur zgjidhje inovative për adresimin e sfidave urgjente të sigurisë kibernetike në Kosovë. Kështu që unë shpresoj se kjo mund të shërbejë si një platformë për zgjidhjen proaktive të problemeve, duke fuqizuar të rinjtë dhe njerëzit me prejardhje të ndryshme dhe duke forcuar mbrojtjen tonë kolektive kundër kërcënimeve kibernetike”, tha ajo

Kjo konferencë do të zgjasë dy ditë, ku do të diskutohet për kapacitetet e Kosovës për siguri kibernetike.

Go to TOP