Maqedonci: Kosova në NATO do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkan

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun e tij italian, Guido Crosetton, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

Ministri Maqedonci përmes një postimi në platformën ‘X’, mes tjerash theksoi se temë e diskutimit ka qenë rritja e bashkëpunimit dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët të të Kosovës dhe Italisë, për të vazhduar partneritetin tonë dypalësh në fushën e mbrojtjes. E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s, për të garantuar stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor dhe me gjerë. Grazie Italia!”, tha Maqedonci. 

“Diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend si dhe format se si mund të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e shkollimit si dhe trajnimit të ushtarakëve, e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes”, tha Maqedonci..

Ai tha ta ketë falënderuar homologun e tij, për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it.

“Ndërsa po ashtu e njoftova rreth mbështetjes që jemi duke i ofruar Ukrainës përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktike e municioneve që pritet të dërgohen së shpejti. Kërkova mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën pranova dhe konfirmin nga ministri Crosetto se do të kemi mbështetjen e pakursyer të Italisë”, tha Maqedonci.

Ai po ashtu tha se integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO të dy ishim dakord se do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme. /Kosova.info/

Go to TOP