Manipulimi i votës: goditje ndaj partisë, demokracisë dhe vetë shtetit

Shkruan: Ilir KRASNIQI

Nuk ka asgjë të re në vjedhjen e votës; kjo praktikë ka ndodhur në shumë palë zgjedhje dhe, fatkeqësisht, është shndërruar thuajse në pjesë të kulturës politike. Mbi një dekadë më parë, një politikan tregonte se si nuk e kishin votuar as anëtarët e familjes së tij duke shprehur zhgënjim të thellë për nivelin e manipulimit. Dikur, liderët i caktonin hapur dhjetë emrat e parë të listave; më vonë, ndoshta nga frika e reagimeve të brendshme, u krijua iluzioni i votës së lirë. Por realiteti duket se nuk ka ndryshuar shumë.

Që në start të fushatave zgjedhore, shenjat e manipulimit shpesh janë evidente. Kandidatë në vend se të kërkojnë mbështetje për veten, bëjnë thirrje për votimin e liderit, edhe pse formalisht të gjithë janë të barabartë në garë. Kjo praktikë e zbraz nga kuptimi konkurrencën dhe e kthen votën në mjet servilizmi, jo përfaqësimi.

Për partitë politike, manipulimi i votës është vetë shkatërrues. Një parti që nuk arrin të respektojë vullnetin e anëtarëve të saj, e humb automatikisht të drejtën morale për të pretenduar se përfaqëson interesin publik. Besimi i qytetarëve zbehet, strukturat e brendshme përçahen dhe meritokracia zëvendësohet nga klientelizmi. Në vend që gara të jetë e ndershme dhe transparente, ajo po shndërrohet në një proces të kontrolluar nga grupe interesi duke larguar njerëzit e ndershëm dhe profesionistët nga angazhimi politik.

Me një fjalë, kur njerëzit bindën se vota e tyre nuk ka peshë reale, ata tërhiqen nga pjesëmarrja politike. Kjo krijon një rreth vicioz ku pakica vendos për shumicën, ndërsa përgjegjshmëria politike zhduket gradualisht.

Manipulimi i votës nuk është thjesht një shkelje teknike e procesit zgjedhor; ai përbën një akt të rëndë politik dhe moral që cenon themelet e demokracisë. Kur vota, si mjeti kryesor i shprehjes së vullnetit qytetar, deformohet apo vidhet, atëherë gjithë sistemi përfaqësues humb kuptimin e tij. Pasojat nuk ndalen vetëm brenda partisë. Kur manipulimi i votës tolerohet ose relativizohet, ai dëmton drejtpërdrejt shtetin.

Përtej deklaratave publike dhe premtimeve për hetime, shtrohet pyetja thelbësore: si mund t’i besohet qeverisja e një vendi cilësdo parti qoftë që lejon manipulimin e votës brenda vetes, pra vjedhjen “brenda shtëpisë”?

Manipulimi me vota ka pasoja të rënda dhe afatgjata, si për partitë politike ashtu edhe për vetë shtetin. Këto pasoja nuk janë vetëm ligjore, por edhe morale, institucionale dhe shoqërore. Kur një parti kapet duke manipuluar votën, ajo humb legjitimitetin moral për të përfaqësuar qytetarët, dhe çdo premtim për reforma apo qeverisje të ndershme vihet seriozisht në dyshim.

Po ashtu, manipulimi krijon përçarje të brendshme. Pakënaqësia te anëtarësia rritet, lindin konflikte të brendshme dhe dobësohen strukturat partiake. Në këtë mënyrë dëmtohet edhe imazhi politik i partisë, e cila identifikohet me mashtrim dhe jo me meritë duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. Manipulimi i votës mbetet pasqyrë e keqe edhe për vetë shtetin. Ai e shndërron procesin demokratik në formalitet dhe e zbraz nga kuptimi vullnetin e qytetarëve. Kur pushteti buron nga manipulimi, institucionet humbasin autoritetin dhe funksionojnë mbi baza të brishta. Këto manipulime nuk duhet dhe nuk mund të tolerohen pa ndëshkim. Nëse vjedhja e votës pranohet si normale, krijohet precedent i rrezikshëm që shkelja e ligjit është e lejueshme edhe në fusha të tjera të jetës publike. Për më tepër, manipulimi i zgjedhjeve krijon imazh negativ ndërkombëtar: shtetet me procese zgjedhore të kontestuar humbin kredibilitet në arenën ndërkombëtare dhe kanë më pak mbështetje politike e ekonomike. Nuk duhet harruar se  manipulimi me vota nuk është vetëm problem zgjedhor; ai është një goditje direkt ndaj themeleve të shtetit dhe demokracisë. Fjalët për zero tolerancë tingëllojnë mirë, por besimi fitohet vetëm atëherë kur përgjegjësia shkon deri në fund, pa përjashtime dhe pa justifikime.

Go to TOP