Manchester United përmbys Crystal Palace
Manchester United ka marrë një fitore të madhe në udhëtim, duke përmbysur Crystal Palacen 2-1 dhe duke u futur në top-gjashtëshe të Premier League.
Kjo humbje i ka dhënë fund serisë prej dymbëdhjetë ndeshjesh pa humbje të vendasve në kampionat.
Ndeshja ka nisur me rrezik për Palace, pasi Casemiro ka dalur ballë për ballë me Henderson që në minutën e parë, por portieri vendas ka reaguar mirë. Palace e ka marrë kontrollin dhe ka fituar penallti pas një gabimi të Yoros ndaj Mateta. Sulmuesi francez ka realizuar dhe e ka çuar Palace në pushim me epërsi.
United është kthyer në fushë shumë më agresiv dhe ka barazuar në minutën e pesëdhjetë e katërt përmes Joshua Zirkzee, i cili me një volej e ka prishur serinë personale prej njëzet e katër ndeshjesh pa gol.
Përmbysja është kompletuar kur Mason Mount e ka shfrytëzuar një skemë nga goditja e dënimit dhe ka shënuar me një goditje të ulët në shtyllën e afërt.
“Djajtë e Kuq” i kanë menaxhuar mirë minutat e fundit dhe e kanë marrë vetëm fitoren e tyre të dytë në dymbëdhjetë ndeshjet e fundit si mysafir. Ndërsa Palace ka pësuar për herë të dytë radhazi një humbje 2-1 pasi ka pasur epërsinë, duke humbur terren në garën për vendet evropiane.
