Liverpool kthehet te fitorja
Liverpool ka marrë një fitore të rëndësishme në Londër, duke mposhtur West Ham 2-0 dhe duke i dhënë fund periudhës së vështirë me tri humbje radhazi në Premier League.
Takimi ka nisur me homazhe për legjendën Billy Bonds, por që nga fillimi “Reds” janë dukur më të rrezikshëm.
Alexander Isak e ka pasur rastin më të mirë në pjesën e parë, por goditja e tij është ndalur nga Areola. Edhe Florian Wirtz e ka humbur një mundësi të artë pas një topi të gjatë nga Van Dijk.
Goli i parë ka ardhur në minutën e 58-të, kur Cody Gakpo ka asistuar për Isak, i cili më në fund e ka gjetur golin e parë me fanellën e Liverpool.
West Hami ka reaguar dobët dhe situata është përkeqësuar në fund, kur Lucas Paqueta është përjashtuar me dy kartona të verdhë për protesta brenda një minute.
Në kohën shtesë, Gakpo e ka vulosur rezultatin 2-0, duke ia dhënë Liverpool një fitore të vlefshme që e ngjit sërish në pjesën e sipërme të tabelës. West Hami mbetet jashtë zonës së rënies, por forma e dobët është alarmante për skuadrën e Nuno Espirito Santos.
