Maloku i reagon Edi Ramës: Kosova e Ukraina nuk janë kombe

Profesori Fadil Maloku, i ka reaguar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili në një fjalim para deputetëve evropian, ndër të tjera foli për “kombin kosovar”, e atë ukrainas.

Sipas Malokut, përdorimi i kësaj teze në politikë, është djallëzore, anipse tingëllon joshëse për ndërkombëtarët.

Sipas Malokut, kombet nuk janë labortatore, ku mund të ndërhyjnë lloj-lloj interesash, për të krijuar diçka të tillë.

“Tendenca për synime të reja identitare kombëtare, pra, për të krijuar e kultivuar një komb të ri në Kosovë, është absurde, alogjike, e paqëndrueshme, e panevojshme, dhe e paargumentueshme! Çka është edhe më tragjike; Në fjalimin, që Edi Rama, mbajti në 12 tetor 2022 para parlamentarëve evropian në Strasburg, e përmendi dy herë gabimisht dhe në kontekst dosido antishqiptar, termin “komb kosovar”. Herën e parë, kur tha”ky ishte rasti i kombit të Kosovës disa dekada më parë”.(!?) dhe herën e dytë, kur nga po e njëjta foltore tha se; Ukraina e Kosova “janë dy kombe” (?!)

Përdorimi i kësaj teze, në jetën politike ku natyra e komunikimit mund të kërkoj edhe doza të caktuara konformizmi (që si kualifikim e qasje, është tipike; antishqiptare) shkaku i ekonomizimit të interesave të ndryshme, është në fakt një tendencë djallëzore anipse, në pamje të parë tingëllon edhe joshëse për veshët e ndërkombëtarëve…! Të paktën qeveria kosovare (po edhe ajo shqiptare) gjatë finalizimit të bisedimeve me Serbinë, nuk duhet të bjerë kurrë në kurthet dhe qasjet shumëkuptimshme dhe ato të (pa)qëllimshme të ca miqve ndërkombëtar! Të cilët sa kam vënë re, si shpesh po e përdorin konceptin e “kombit kosovar”… Këta dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë, se; kombet nuk janë laboratorë, e as kazanë (melting pot) ku mund të dizajnohen e projektohen sipas qefeve, interesave klanore, e atyre individuale qofshin ato interesa të porositura, apo të injektuara e të dizajnuara, si nga miqtë ashtu edhe armiqtë tanë ideologjik, e politik.” – ka shkruar Maloku.

Tutje Maloku u ka bërë thirrje politikanëve nga Kosova, të mos e përdorin këtë term, siç e quan Ai absurd. Sipas tij, tashmë kombet po “vdesin”, e nuk po “lindin”.

Go to TOP