Malisheva fiton pastër në Klinë, Llapi merr fitore të vështirë nga Drita

Malisheva e ka mposhtur bindshëm Dukagjinin në Klinë, ndërsa Llapi ka marrë një fitore të vështirë ndaj Dritës në Podujevë.

Të dielën janë zhvilluar dy ndeshje të javës së pestë të Superligës së Kosovës në futboll. 

Malisheva ka kaluar në epërsi në minutën e tetë, falë një goli të Vesel Limajt nga gjuajtja e lirë. Dukagjini e ka barazuar rezultatin në minutën e njëzet e një me golin e shënuar nga Pefqeli, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, Malisheva e ka gjetur rrjetën edhe dy herë. Fillimisht, Pira ka realizuar në minutën e pesëdhjetë, ndërsa pastaj Xhylani e ka vulosur fitoren me golin e tij në minutën e shtatëdhjetë e katërt, duke e çuar rezultatin përfundimtar në 3-1.

Ndërkohë, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi dhe Drita kanë luftuar deri në fund, por ka qenë skuadra llapjane që ia ka arritur ta shënojë golin vendimtar vetëm në kohën shtesë. Golin e vonshëm e ka realizuar Baftiu.

Pas këtyre ndeshjeve, Malisheva ngjitet në tabelë, duke u barazuar me pikë me Ballkanin dhe Suharekën, ndërsa në fundin e tabelës vazhdon të jetë Feronikeli 74.

Go to TOP