Maliqi analizon emrat e ri që do të punojnë me Trump, thotë se është shqetësues pozicioni i Kosovës në raport me SHBA e BE

Analisti kosovar, Agon Maliqi, ka bërë komente për emrat që pritet të emërohen në pozita kyçe në administratën e re të presidentit të zgjedhur, Donald Trump. Marco Rubio pritet të marrë postin e Sekretarit të Shtetit, ndërsa Mike Waltz pozicionin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare.

Sipas Maliqit, ky është një zhvillim pozitiv për aspektin e politikave të sigurisë, pasi Rubio dhe Waltz i përkasin linjës tradicionale republikane më të afërt me politikat e Presidentit Bush, duke shmangur rrymat izolacioniste që priren të jenë më të buta ndaj Rusisë. Trump duket se ka përqendruar agjendën MAGA dhe interesat e militantëve kryesisht në politikat e brendshme, ndërkohë që në politikën e jashtme po jep sinjale për një vijim të kursit republikan.

Sa i përket Kosovës dhe Ballkanit, Maliqi thotë se Rubio dhe Waltz nuk kanë pasur shumë ndërveprim të drejtpërdrejtë me rajonin, por duke qenë anëtarë të komisioneve në Senat dhe Kongres, janë të njohur me pasqyrën historike të zhvillimeve në këtë pjesë.

Maliqi shton se, megjithëse zyrtarët e këtij niveli nuk do të merren drejtpërdrejt me rajonin, ata përcaktojnë kornizat e politikës. Gjithashtu, mund të ketë takime rastësore në korridore me përfaqësuesit e Kosovës. Sipas tij, pozita e Asistentit të Sekretarit për Evropë mbetet një pozitë e rëndësishme për ndikimin konkret në politikën rajonale.

Ai vëren se një çështje shqetësuese është infrastruktura e dobësuar e Kosovës për ndikim në Uashington dhe Evropë, e cila, për shkak të humbjes së kredibilitetit dhe besimit, i ka lënë hapësirë Serbisë dhe lobit serb për të ndikuar në marrëdhëniet me rajonin.

Go to TOP