Makolli merr drejtimin e AKR-së: Është nder dhe përgjegjësi e veçantë të vazhdoj vizionin e Behgjet Pacollit
Vesel Makolli ka njoftuar se ka marrë përsipër drejtimin e Aleancës Kosova e Re (AKR), pas vendimit të Presidentit dhe themeluesit të partisë, Behgjet Pacolli.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, miqve dhe përkrahësve të AKR-së, Makolli theksoi se ky është një nder dhe përgjegjësi e veçantë, të cilën e pranon me përulësi dhe vendosmëri.
“E shoh këtë si mundësi për të vazhduar rrugën që Presidenti Pacolli ka ndërtuar me përkushtim dhe vizion duke pasur gjithmonë interesin e shtetit mbi të gjitha dhe duke i sjellë Republikës sonë shumë njohje ndërkombëtare,” u shpreh Makolli.
Ai shtoi se Aleanca Kosova e Re mbetet personifikim i veprimtarisë politike të Behgjet Pacollit, i cili, sipas tij, do të jetë gjithmonë udhërrëfyes, inspirues dhe monitorues i aktiviteteve të partisë. /Kosova.info/
