Lukashenko ndryshon kushtetutën për të vazhduar sundimin

Autoritetet e Bjellorusisë kanë publikuar një draft-dokument me të cilin propozohen ndryshime kushtetuese për t’ia lejuar presidentit autoritar, Aleksandër Lukashenko, fuqizimin e pushtetit pas shtypjes së protestave të mëdha.

Kështu Lukashenko, i njohur ndryshe edhe si diktatori i fundit i Evropës, do të kishte mundësi ligjore të mbante frerët e pushtetit deri në vitin 2035. Amendamentet e propozuara janë publikuar në uebfaqen zyrtare të presidencës.

Bjellorusët janë inkurajuar që të shprehin qëndrimet e tyre lidhur me këto ndryshime të planifikuara. Lukashenko nuk ka shprehur ndonjë qëndrim, por televizioni shtetëror ka transmetuar një kronikë me pjesëmarrjen e tij në një ngjarje të veçantë festive me fëmijët në Pallatin e Republikës në Minsk.

Ky aktivitet bamirës është pjesë e fushatës së përvitshme, “Fëmijët tanë”, që prej mesit të dhjetorit deri në mes të janarit synon të ndihmojë sa më shumë fëmijë në nevojë. Lukashenko, duke folur para fëmijëve, ka thënë se ndien kënaqësi që mund të flasë për çështje që nuk janë politike.

Go to TOP