Lladrovci: Bedri Hamza nuk është vetëm – ai është lideri i duhur për ta ringritur PDK-në
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur mbështetje të fuqishme për kandidaturën e Bedri Hamzës duke e cilësuar atë si zgjedhjen më të qëlluar për të udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës në një etapë të re politike.
Në një reagim publik, Lladrovci theksoi se takimet e fundit me personalitete me ndikim, komunikimi me miqtë dhe sidomos opinionet e brendshme brenda PDK-së, kanë konfirmuar bindjen se Hamza gëzon mbështetje të gjerë dhe është i gatshëm ta çojë partinë drejt fitores.
“Pres që lidershipi i z. Hamza ta ketë ndikimin e fuqishëm në frymën e fitores duke filluar nga selia e partisë, fryma përbashkuese me subjektet partnere dhe evitimin e përgjegjësive të fushatës për humbësit serik. Një gjë është e sigurt: Bedri Hamza nuk është vetëm!”, u shpreh Lladrovci.
Ai kritikoi ashpër disa figura brenda partisë, të cilët i quajti “pionierë-veteranë” duke thënë se ata po e pengojnë frymën e re dhe transformimin e PDK-së. Sipas tij, këto figura nuk po heqin dorë nga pritjet për emërime, ndonëse “pensionimi politik” do t’u bënte mirë.
Lladrovci ngriti pyetjen se në cilin drejtim po shkon PDK-ja duke theksuar se përgjigjen duhet ta japin ata që kërkojnë ndryshime, por që nuk marrin përgjegjësi për ndikimin e tyre në proceset negative brenda partisë. Ai shtoi se nuk duhet lejuar që fajet të hidhen mbi Drenicën, të cilën disa e kanë trajtuar padrejtësisht si “zonë të paurbanizuar”.
“Bedriu është lider i duhur dhe pres ta përkrahin qytetarët pa dallim. Keqbërësit me libreza partie do të bënin mirë të heshtin dhe të mos e pengojnë rritjen e PDK-së, ndryshe, dëmi është te dera”, deklaroi ai.
Krejt në fund, Lladrovci theksoi se askush nuk ka të drejtë ta dëmtojë partinë e themeluar nga heronjtë e luftës dhe të paqes duke shtuar se në këtë moment kritik “gjuha e vetme që duhet përdorur është gjuha e kampionit”. /Kosova.info/
