“Lista serbe është marionetë e Beogradit, por pse ra Kurti në këtë kurth?”
Për ekspertin amerikan, i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në negociatat izraelito-siriane dhe izraelito-palestineze në formatin “Track II” e njohur ndryshe si “diplomacie e kanaleve të pasme” Alon Ben – Meir, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke mos e dëgjuar kërkesën Amerikane, por jo vetëm, për shtyrjen e vendimit për targat për të paktën 10 muaj ka dështuar në kurthin rus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.
Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prapë kishin shprehur pakënaqësi.
Ndryshe nga ShBA-të, të cilët ishin shprehur të zhgënjyer e të shqetësuar, Ben-Meir, i cili ka qenë ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Qendrën për Çështjet Globale në Universitetin e Nju Jorkut, për Albanian Post ka thënë se ndjehet paksa i habitur se përse Kurti i kushton kaq shumë rëndësi çështjes së targave, kur ai ka probleme më të mëdha me të cilat duhet të ballafaqohet.
“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës, por jo vetëm. Të njëjtit janë larguar edhe nga Gjyqësori dhe Policia.
Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Sipas profesorit amerikan, problemi i serbëve në Kosovë qëndron në atë se ata gjithmonë kanë qenë marionetë e Beogradit zyrtar.

