Lisiçansku po përballet me “bombardime të jashtëzakonshme”

Lisiçansku vazhdon të jetë shënjestër e artilerisë së rëndë ruse, pasi zyrtarët rajonalë në lindje të Ukrainës, kanë thënë se ky qytet është subjekt i bombardimeve “të jashtëzakonshme”.

Lisiçansku është qyteti i fundit që kontrollohet nga forcat ukrainase në lindje të shtetit.

Udhëheqësi i administratës ushtarake për rajonin e Luhanskut, Serhiy Hayday, ka thënë se Lisiçansku, “është duke u bombarduar vazhdimisht me armë të mëdha” nga forcat ruse, të cilat po tentojnë të rrethojnë këtë qytet, meqë Moska synon të ketë kontrollin e gjithë Donbasit – rajon industrial në lindje të Ukrainës.

Pas disa javësh luftime, si pasojë të cilave kanë vdekur qindra njerëz, Moska ka marrë kontrollin e Severodonjckut, po ashtu qytet në lindje të shtetit, dhe tani ka cak Lisiçanskun.

“Luftimet janë duke vazhduar në hyrje të qytetit. Ushtria ruse është duke tentuar të sulmojë vazhdimisht”, ka thënë Hayday për televizionin ukrainas.

“Tani është piku i luftimeve. Frekuenca e bombardimeve është e jashtëzakonshme”, ka thënë Hayday, duke shtuar se në qytet janë ende 15,000 civilë, në qytetin që para luftës kishte mbi 100,000 banorë.

Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë në përditësimin e saj të fundit, më 30 qershor, se luftimet në Lisiçansk tani janë të fokusuara afër rafinerisë së naftës, rreth 10 kilometra në jugperëndim të qendrës, duke shtuar se forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre pas tërheqjes nga Severodonjecku.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Go to TOP