Lirohet nga akuza T.V., për grabitje të mbetur në tentativë

Gjykata Themelore në Gjakovë, përmes një komunikate për media, njofton se ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit T.V., i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, akuzohet për veprën penale “Grabitja” e mbetur në tentativë”.

Sipas njoftimit, trupi gjykues, pas mbajtjes së 10 seancave gjyqësore, dëgjimit të 7 dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e ekspertizave, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari T.V., ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

“Kolegji shqyrtues i Gjykatës Themelore në Gjakovë, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e të dënuarit T.V., e parashtruar nga mbrojtësi i tij avokati Arbër Guta, për rishikimin e procedurës penale të përfunduar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 24 korrik 2020, i formës së prerë nga data 16 dhjetor 2020. Me këtë vendim, Kolegji kishte lejuar rishikimin e procedurës penale dhe kishte urdhëruar Gjykatën Themelore në Gjakovë, që të caktoi shqyrtimin e ri gjyqësor ndaj te dënuarit T.V., i cili ishte në vuajtje të dënimit për vepër penale “Grabitja” e mbetur në tentativë. Me këtë rast kishte pushuar edhe ekzekutimi i dënimit me burgim ndaj të dënuarit T.V.”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se i pandehuri T.V., akuzohej se “me datën 26 prill 2019 rreth orës 14:59 minuta në Gjakovë, në filialin “R.C.” i pandehuri T.V., në bashkëkryerje me S.K., nga Gjakova, të përgatitur më parë, duke u marrë vesh për të ndarë rolet ndërmjet veti, ndërmarrin veprime për realizimin e ujdisë së tyre ku i pandehuri T.V., i maskuar, me pistoletë në dorë hyn në filialin “R.C.”, ndërsa S.K., bënë roje duke përcjell lëvizjet e qytetarëve dhe me këtë rast pasi hyn brenda në lokal i gjejnë të dëmtuarit A.S., P.H., dhe R.M.-E. i cili dy tri herë iu drejtohet me fjalët duke iu thënë “qitni lekët” me çka të njëjtit janë përgjigjur se nuk kemi para dhe pas alarmimit i njëjti ik me armë në dorë duke u larguar në drejtim të paditur.”

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Kosova.info/

Go to TOP