Lladrovci i kapet Muratit për pagat e mësimdhënësve: Ligji si llastiku, por edhe mund të këputet
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se pagat e ekzekutuara tek mësimdhënësit për muajin shtator janë paradhënie për kompensimin e orëve mësimore.
Lladrovci, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se me mos-ekzekutimin e pagave tek mësimdhënësit, kjo qeveri po synon të zhvendos vëmendjen nga, siç i quajti ai, temat e mëdha.
“Zhvendosja e vëmendjes nga “temat e mëdha”, është tendencë që po e karakterizon këtë qeverisje. Pagat janë temë “e vogël”, në krahasim me ato që na presin. Rrini në temë: Masat antiinflacion, energjia, ikja e të rinjve dhe ballafaqimi në tavolinë të bisedimeve për marrëveshjen finale me Serbinë”, ka shkruar ai.
“Paradhënia e pagës, fjalor për keqardhje, nivel i lartë paditurie. Deklaratat shkel e shko, nuk i kanë hije asnjë qeverie 14 vjet pas Pavarësisë. Ligji është si llastiku, por, edhe mund të këputet!”, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci.

