Liderët evropianë mblidhen në Budapest për të diskutuar për kthimin e Trumpit dhe tema tjera

Rreth 50 liderë evropianë – përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte – janë mbledhur të enjten në Budapest për të diskutuar për marrëdhëniet e tyre transatlantike.

Ata shpresojnë se nuk do të kenë mospajtime të ngjashme me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, sikur gjatë mandatit të tij të parë.

Në mesin e liderëve që po marrin pjesë në samitin e Budapestit janë edhe ata të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e falënderoi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për mikpritjen.

Liderët evropianë do të kërkojnë edhe pajtueshmëri për një qëndrim të përbashkët dhe të fuqishëm ndaj Rusisë gjatë këtij samiti njëditor.

Rutte, i cili ishte kryeministër i Holandës gjatë mandatit të parë të Trumpit 2017-2021, tha se “punova shumë mirë me të gjatë katër vjetëve”.

“Ai është shumë i qartë për atë që dëshiron. Ai e kupton se duhet të merremi me njëri-tjetrin për të ardhur në një përfundim të përbashkët. Dhe, mendoj se mund ta bëjmë këtë”, tha Rutte.

Trumpi i shtyu aleatët evropianë të NATO-s të shpenzojnë më shumë në mbrojtje gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Ai u kërkoi atyre të shpenzojnë mbi 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për mbrojtje, ashtu siç kërkohet nga shtetet e NATO-s, si dhe të jenë më pak të varura nga ushtria amerikane.

Kjo kërkesë e tij është plotësuar plotësisht.

“Kur ai ishte president, ishte njeriu që na nxiti ta tejkalojmë 2 përqindëshin. Dhe tani, falë tij, NATO, nëse nuk i llogarisim shifrat e SHBA-së, i ka tejkaluar shpenzimet prej 2 për qind”, tha Rutte.

Charles Michel, president i Këshillit të BE-së, u pajtua se kontinenti evropian duhet të jetë më pak i varur, nga Shtetet e Bashkuara.

“Ne duhet të jemi më mjeshtër të fatit tonë. Jo për shkak të Donald Trumpit apo Kamala Harrisit, por për shkak të fëmijëve tanë”, tha ai.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trumpi ka kërcënuar Evropën me luftë tregtare, tërheqjen e SHBA-së nga përkushtimet ndaj NATO-s, si dhe me ndryshime thelbësore në mbështetjen e Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Të gjitha këto çështje mund të kenë pasoja të jashtëzakonshme për vendet e Evropës.

Trumpi ka thënë se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, e cila nisi më 2022, brenda ditësh pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ukraina dhe shumë mbështetës të saj evropianë druajnë se kjo nënkupton marrëveshje paqeje sipas kushteve që i leverdisin presidentit rus, Vladimir Putin, që përfshijnë heqjen dorë nga territori.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili është nikoqir i samitit dhe adhurues i Trumpit, tha të enjten në mëngjes se ka pasur një bisedë telefonike me Trumpin gjatë natës, duke shtuar se “kemi plane të mëdha për të ardhmen”!

Ndikimi i rezultatit të zgjedhjeve në SHBA mund të ndihet në Evropë për vite me radhë, në çështje si luftërat në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, si dhe emigracioni dhe ndryshimi klimatik.

Go to TOP