Libri, rrjetet sociale dhe varshmëria problematike

Shkruan: Bajram MJEKU

Këto ditë, me vajzën e një miku tim që është një doktoreshë e mrekullueshme, bisedonim për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, të cilët nuk janë as nën kujdesin minimal të prindërve të tyre. Gjatë bisedës, i rrëfeva një ngjarje nga fëmijëria ime. Krejt në fund, ajo sikur mbeti e nemitur nga rrëfimi im aspak mbresëlënës!

Ishte janari i vitit 1974, kur unë isha vetëm dhjetë vjeç dhe kisha nisur të frekuentoja bibliotekën e vetme, e cila ishte disa kilometra larg vendlindjes time. Janarët e viteve shtatëdhjetë ishin shumë të ftohtë dhe bora e atij viti ishte së paku gjysmë metri lartësi. Nga rruga e gjatë më kishte zënë terri dhe punonjësi i bibliotekës, duke më shikuar me habi se si natën duhej t’i bëja disa kilometra rrugë, më propozoi që kthimin për në vendlindje ta bëja me tren. Njeriu i mirë më shoqëroi deri tek stacioni i trenit. Falë tij u ktheva në shtëpi, pasi treni ndalonte shumë afër shtëpisë sime. Kjo aventurë nuk përfundoi me kaq. Përcjellësi i stacionit të trenit, i cili mbante një kapelë të kuqe, emblema e së cilës mbante simbolin e hekurudhave jugosllave, më kishte spiunuar te baba im! Që të jem korrekt e “hëngra” një flakaresh, por pasioni për të lexuar veçse u shtua më shumë!

Nga një distancë e largët, gjërat kanë ndryshuar. Të rinjve “aksidentalisht” ua sheh ndonjë libër në dorë, pasi janë të zënë duke i gërmuar thellutat e pafundme të rrjeteve sociale. Ky fenomen ka përfshirë gjithë globin, por për kushtet dhe rrethanat që kemi kaluar si popull, rrjetet sociale janë duke e goditur më së shumti njeriun tonë. Duke provuar që t’i përcjell trendët e rrjeteve sociale, të cilat janë zhvilluar me shpejtësi marramendëse, njeriu ynë është shndërruar në varshmëri të tyre. Në një situatë kur gjithë Ballkani Perëndimor është duke përjetuar depresion kolektiv dhe arratisja nga rajoni për mungesë perspektivash është shndërruar në pasion, gjendja bëhet edhe më e rënduar. Institucionet tona këto çështje nuk i trajtojnë as për kurtuazi, derisa edhe mediat sikur janë “dehur” nga këto fenomene. Më keq se kjo, institucionet arsimore nuk ndërmarrin as edhe një hap, që të ndalojnë përdorimin e telefonave të mençur të paktën gjatë orarit të mësimit.

Kohëve të fundit është tik-toku, i cili është shndërruar në opsesion tek shqiptarët! Duke publikuar gjithkush e gjithçka që i kujtohet, më saktë duke i shpërfaqur komplekset më periferike, ky rrjet shpërfaq më së miri llumin e shoqërisë sonë. Tik-toku është dëshmia më e mirë se sa heshtur dhe “pahetueshëm” jemi nisur drejt errësirës, prandaj dhuna në familje dhe vrasjet e shpeshtuara kohëve të fundit, janë produkte inspiruese pikërisht nga këto rrjete.

Idenë më të mirë për këtë e jepte vite më parë, shkrimtari dhe semiologu i madh italian, Umberto Eco. “Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës edhe idiotëve!”, thoshte ai, derisa fliste për internetin në ceremoninë e dhënies së diplomës së tij Honoris Causa në Universitetin e Torinos. Për Eco, interneti është një dramë e vërtetë, sepse “promovon budallain e fshatit si mbajtës të së vërtetës”!

Go to TOP