Lewandowski thotë se mbetet te Barcelona edhe më tutje

Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka konfirmuar se do të mbetet në klubin e La Ligas për sezonin e ardhshëm, duke shpresuar të kontribuojë në sukseset e ardhshme të skuadrës. 

Polaku i qe bashkuar Barcelonës nga Bayern Munich në vitin 2022 për një shumë prej rreth 43 milionë eurosh. Marrëveshja e tij me klubin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2026. Megjithatë, paqartësitë për të ardhmen e tij në klub kishin filluar të shtoheshin që nga janari, kur trajneri Xavi Hernandez fillimisht njoftoi për një largim të mundshëm nga skuadra.

“Sigurisht, për mua është super e qartë. Unë dua të fitoj shumë tituj me Barcelonën dhe jam i sigurt se sezonin e ardhshëm do të jemi edhe më të fortë dhe do të fitojmë gjithashtu tituj. Për mua kjo është ajo që ka rëndësi”, ka thënë Lewandowski. 

Barcelona aktualisht është në vendin e dytë në La Liga, dymbëdhjetë pikë prapa kampionit të sapokurorëzuar Real Madrid. Në ndeshjen e fundit të sezonit të dielën Barça do të përballet me Sevillan.

Go to TOP