Lenë Osmani dhe Fatih Karabaxhaku triumfues në Turneun Memorial “Adem Jashari”

Të shtunën në Skënderaj u zhvillua Turneu Memorial “Adem Jashari”, një ngjarje e rëndësishme në kalendarin e Federatës së Pingpongut të Kosovës. Para fillimit të garave, delegacioni i FPPK-së bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” për të nderuar figurën e heroit të kombit.

Pas këtij akti solemn, kryetari i FPPK-së, Jeton Oruçi, mbajti një fjalë rasti dhe shpalli zyrtarisht të hapur turneun.

Ky turne u karakterizua nga një konkurrencë e fortë, ku pingpongistët treguan nivel të lartë të lojës. Befasi solli Aron Koni, i cili fitoi ndaj Kreshnik Mahmutit, dhe Rrahman Ademaj që mposhti Sina Kayhanin.

Finalja e meshkujve ishte shumë e fortë. Aron Koni nga Shqipëria avancoi me 2:0 në sete, por Fatih Karabaxhaku nuk u dorëzua, duke kthyer lojën dhe fituar me rezultat 3:2.

Edhe finalja e femrave ishte e baraspeshuar. Lenë Osmani avancoi me 2:0, ndërsa Leoresa Imeri barazoi në 2:2 dhe pati avantazh në setin e pestë. Megjithatë, Lenë Osmani nuk u dorëzua dhe siguroi titullin e saj të tretë për këtë vit.

Renditja në kategorinë e femrave:

🥇 Lenë Osmani

🥈Leoresa Imeri

🥉Anisa Domaniku dhe Taibe Ruli

Renditja në kategorinë e meshkujve:

🥇Fatih Karabaxhak

🥈Aron Koni

🥉Rrahman Ademaj dhe Kreshnik Mahmuti /Kosova.info/


Go to TOP