LDK Viti: Sondazhi i Plus Televizionit është i fabrikuar dhe i porositur për të dëmtuar Sokol Halitin

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Viti ka reaguar ashpër pas publikimit të një sondazhi nga Plus Televizioni, të cilin e ka quajtur “akt të turpshëm, të papranueshëm dhe të fabrikuar”. Në deklaratën e lëshuar për qytetarët dhe opinionin publik, LDK ka theksuar se ky sondazh nuk ka asnjë vlerë profesionale, as metodologji shkencore, por është “një farsë politike e porositur nga kundërshtarët” për të dëmtuar pozitën e kryetarit aktual, Sokol Haliti.

“Ky është një manipulim i hapur, i dizajnuar për të dëmtuar LDK-në në Viti dhe për të tentuar ta dobësojnë avantazhin politik të kryetarit tonë, Sokol Haliti”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së.

Në vijim, LDK Viti thekson se qytetarët nuk do të mashtrohen nga këto përpjekje, pasi e njohin të vërtetën dhe e dinë kush punon për interesin e tyre. “Ne nuk kemi nevojë për sondazhe të rreme për ta ditur realitetin. Ne kemi besimin dhe mbështetjen e shumicës së qytetarëve, të cilët çdo ditë e më shumë i bashkohen vizionit të LDK-së dhe udhëheqjes së Sokol Halitit”, theksohet më tej.

Sipas LDK-së, rezultatet e sondazheve të kryera nga institucione të pavarura tregojnë qartë fitoren e sigurt të kësaj partie në Viti, “pa balotazh”.

Në fund, dega e LDK-së në Viti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve mediatike dhe politike, por të qëndrojnë të bashkuar dhe krenarë për punën dhe vizionin e përbashkët.

“Faleminderit për besimin dhe mbështetjen tuaj të palëkundur – fitorja është e jona, e qytetarit të Vitisë. 113, me t’parën!”, përfundon reagimi. /Kosova.info/


Go to TOP