LDK nuk e ka shumicën e thjeshtë në Kuvendin Komunal në Prishtinë, koalicionet të domosdoshme

Pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2021, tashmë Prishtina do të jetë nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi që fitues doli kandidati i kësaj partie Përparim Rama.

Në kuadër të rezultateve që janë certifikuar nga KQZ-ja për asamble komunale, LDK në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të ketë 14 asamblistë, tre më pak se LVV-ja e cila ka 17-të.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës sipas statutit përbëhet nga 51 anëtarë, dhe si rrjedhojë LDK-së i duhet të bëjë koalicion me njërën nga subjektet politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin Komunal, për të siguruar kështu shumicën e thjeshtë prej 26 anëtarëve.

Ndarja e ulëseve në Kuvendin Komunal të Prishtinës/ Burimi: KQZ

Kështu ka deklaruar Qëndrim Arifi nga organizata INPO.

“Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka 51 anëtarë dhe për ta siguruar shumicën e thjeshtë duhen së paku 26 anëtarë. Për pasoj LDK-së i duhet të bëjë koalicion me subjektet tjera të përfaqësuara në Kuvendin Komunal. Shumica në Kuvend është garancë që pikat e propozuara nga ekzekutivi do të miratohen, pa një shumicë në kuvend ekziston rreziku që anëtarët e kuvendit komunal të sabotojnë punën e ekzekutivit”, u shpreh Arifi.

Arifi ka deklaruar se qeverisja mund të bëhet edhe pa koalicione, mirëpo kjo mund të pengoj mbarëvajtjen e punëve.

“Pra, të kuptohemi qartë se qeverisja mund të bëhet edhe pa koalicione, mirëpo për të siguruar mbarëvajtjen e punëve, përkatësisht votimin e pikave të rendit të ditës në kuvend, koalicionet janë pothuajse të domosdoshme”, u shpreh Arifi.

Ndryshe në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 17 tetor dhe 14 nëntor, LDK në Prishtinë për asamble komunale ka marrë 21,865 vota apo 27,21% duke siguruar kështu 14 ulëse.

LVV ka marrë 26,962 vota apo 33,56% dhe ka siguruar 17 ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës. PDK ka marrë 14,250 apo 17,41% dhe ka siguruar 9 ulëse. AAK ka 6 ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës pasi ka marrë 8,638 vota apo 10,75%.

AKR me 4,499 vota apo 5,60% ka siguruar 3 ulëse. Ndërkaq Lëvizja për Bashkim dhe Nisma Socialdemokrate kanë nga një ulëse.

Ndryshe Përparim Rama kryetari i zgjedhur  në Prishtinë në një intervistë para zgjedhjeve ka thënë se në kabinetin e tij do të ketë një ekip profesionistësh.

“CV-ja e ekipit tim do të ketë rëndësi të madhe. Ekipi do të jetë i bazuar në profesionistë dhe menaxher të mirë. Nuk ka rëndësi se nga cila parti janë apo janë të pavarur. E rëndësishme është që ata të jenë menaxher të mirë sepse na duhen që ta shndërrojmë Prishtinën në qytet për të mirën e qytetarëve”, kishte deklaruar Rama.

Asamblistët e LVV-së në Kuvendin e Prishtinës

Asamblistët e LDK-së në Kuvendin e Prishtinës

Asamblistët e PDK-së në Kuvendin e Prishtinës

Asamblistët e AAK-së në Kuvendin e Prishtinës

Asamblistët e AKR-së, NISMA dhe LB-së në Kuvendin e Prishtinës

Go to TOP