LDK në Lipjan reagon ndaj shpifjeve: Propaganda nuk kalon, puna mbetet
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Lipjan, ka reaguar përmes një komunikate ndaj, siç i ka quajtur, shpifjeve të organizuara nga rivalët politikë, të cilët sipas tyre tashmë e ndiejnë humbjen në terren.
Në reagim theksohet se fushata e kundërshtarëve ka nisur fillimisht me profile të rreme në rrjetet sociale e më pas me shpërndarjen e fletushkave anonime, me qëllim të krijimit të një opinioni negativ ndaj LDK-së.
“Ne nuk do të biem në nivelin e tyre. Ekipi ynë ligjor sot do t’i denoncojë në organet e rendit autorët dhe shpërndarësit e këtyre shpifjeve, në mënyrë që ata të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre,” thuhet në komunikatë.
LDK në Lipjan thekson se qytetarët e Lipjanit nuk meritojnë fushata me gënjeshtra, por vizion, punë dhe të ardhme të sigurt.
“Propaganda nuk kalon, shpejt e merr era; shpifjet harrohen, por puna mbetet. Përtej shpifjeve dhe fletushkave, përtej profileve të rreme në rrjete sociale, ne jemi të përkushtuar me punë për Lipjanin,” përfundon reagimi i degës së LDK-së në Lipjan. /Kosova.info/
