LDK mobilizon strukturat e saj në vend dhe mërgatë

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se po vazhdon mobilizimin e të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së saj në vend dhe mërgatë.

Në komunikatë thuhet se takimet dhe aktivitetet tyre po vazhdojnë degë më degë, e lagje më lagje, duke takuar dhe diskutuar me secilin qytetar rreth programit të tyre politik ‘Rruga e Re’, e që sipas LDK-së ofron zgjidhje për hallet e përditshme të qytetarëve.

“Lidhja Demokratike shpreh keqardhje që kjo Qeveri, me mospunën e saj ka degraduar marrëdhëniet e vendit tonë me partnerët tanë ndërkombëtar. LDK pret nga Këshilli i Evropës që të njeh të gjitha të arriturat demokratike të Kosovës që nga para shpalljes së Pavarësisë dhe të anëtarësojë Kosovën në Këshill”, thuhet në komunikatë.

LDK vlerëson se fatkeqësisht, raportet e institucioneve prestigjioze si Departamenti i Shtetit Amerikan, Freedom House dhe të tjerë konstatojnë korrupsionin e lartë të qeverisë aktuale.

“Fatkeqësisht, raportet e institucioneve prestigjioze si Departamenti i Shtetit Amerikan, Freedom House dhe të tjerë, konstatojnë korrupsionin e lartë të kësaj Qeverie, ndërhyrjet në institucionet e gjyqësorit, sulmet ndaj medieve dhe gazetarëve dhe një varg shkeljesh e dështimesh të cilat LDK i ka ngritur me kohë në Kuvendin e Kosovës, duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës të ndalë popullizmin dhe të kultivojë e avancojë marrëdhëniet ndërkombëtare të ndërtuara me shumë zell ndër vite”, vlerëson LDK-ja.

Tutje, kjo parti tha se “ka përcjellë me shqetësim investimin institucional të Republikës së Kosovës në përçarjen e shqiptarëve në rajon. LDK riafirmon qëndrimin e saj për bashkëpunim me të gjitha partitë politike shqiptare duke besuar në kapacitetet e tyre dhe duke mos ndërhyrë në çështjet e tyre politike apo ndërpartiake”. /Kosova.info/

Go to TOP