Latifi viziton QKMF-të e Skenderajt, Klinës dhe Istogut: Kemi mjaftueshëm vaksina
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka vizituar QKMF-të, në komunat e Skënderajt, Klinës dhe Istogut, ku u takua me kryetarët e komunave, me drejtorët e departamenteve të Shëndetësisë, me drejtorët e QKMF-ve, dhe më stafin mjekësor.
Sipas njoftimit të MSh-së qëllimi i këtyre vizitave, ishte thirrja për vaksinim të qytetarëve dhe dhënia e mirënjohjeve për stafin mjekësor dhe infermierët.
Latifi shprehu falënderimin e thellë për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë të gjithë në qendrat e vaksinimit anekënd Kosovës për imunizimin e popullatës tonë kundër COVID-19, nën mbikëqyrjen e Komitetit për imunizim dhe Ekipit menaxhues të këtij procesi.
“Ju e keni bërë dhe e keni dëshmuar këtë! Jemi dëshmitarë se pandemia COVID-19 na ka sjellë shumë vuajtje të gjithëve. Por, në anën tjetër, ajo ka shpalosur edhe anën më të mirë profesionale dhe humanitare të mantelbardhëve të Kosovës. Përderisa klinicistët janë heronjtë tanë në trajtimin e të prekurve me COVID-19, ju dhe ekipet e vaksinimit jeni heronjtë e parandalimit të shumë vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë, përmes vaksinimit”, tha Latifi.
Latifi, shtoi se përmes dhënies së mbi 1. 8 milionë doza të vaksinës, nga të cilat 63% të popullatës mbi 12 vjeçe kanë marrë nga një dozë dhe 57% nga dy doza; dhe 70% të popullatës së moshës mbi 18 vjeçe kanë marrë nga një dozë dhe 64% nga dy doza; janë shpëtuar qindra apo edhe mijëra jetë.
Temë diskutimi në këto takime ishte edhe vaksnimi me dozën e katërt për personat mbi 40 vjeç.
“Komiteti po diskuton mundësinë që së shpejti me dozën e katërt të lejojë vaksinimin edhe të personave me sëmundje kronike. Vaksina kemi mjaft, të sigurta dhe efektive. Prandaj, duke qenë që i kemi të gjitha kushtet, duhet të rrisim ritmin e vaksinimit dhe unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëvë që të vaksinohen pa asnjë hezimim. Mjekëve, infermierëve, mësimedhënësve, grave shtatzëna dhe kategorive të tjera”, tha Latifi.
E tëra kjo, sipas ministrit Latifi, përmes një vaksinimi që në Kosovë filloi më së voni në rajon, por falë përkushtimit tuaj, e renditi vendin tonë në mesin e shteteve më të mira në rajon për vaksinimin kundër COVID-19.
Prandaj, ministri veçoi se mirënjohja për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij angazhimi është më se e merituar.
