Kuvendi voton në lexim të parë edhe projektligjin për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve

Me 74 vota për dhe asnjë kundër Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve. Ky ligj mori mbështetjen edhe të deputetëve nga partitë opozitare.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e ka arsyetuar këtë projektligj duke thënë se përmes tij synohet të zvogëlohen efektet negative në mjedis dhe të ul rrezikun nga këto mbeturina.

“Planifikon që përmes draftimit dhe aprovimit të projektligjit për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve të rregullojë mënyrën e rregullimit dhe përcaktimit të masave procedurave, dhe udhëzimeve për të parandaluar apo për të zvogëluar efektet negative në mjedis, ajër dhe ujë që të evitohet çdo rrezik që kërcënon shëndetin e njeriut dhe mjedisin si rezultat i menaxhimit të mbeturinave nga industritë e nxjerrjes në Kosovës”, tha ai.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi deklaroi se për vite me radhë procesi i nxjerrjes së mineraleve është kryer pa pasur parasysh mbrojtjen e mjedisit.

“Për vite me radhë procesi i nxjerrjes së mineraleve është kryer pa pasur parasysh mbrojtjen dhe menaxhimin e rehabilitimin e mjedisit pas eksplantimit të minerareve nga operatorët e licencuar e mos të flasim për nxjerrjen e minierave që janë bërë nga operatorët pa licencë… Është më se e nevojshme të krijohen kushtet për menaxhimin e rregullt dhe të qëndrueshëm të mbeturinave nga industritë nxjerrëse të mineraleve dhe përmes këtij projektligji synohet të arrihet kjo gjë dhe të plotësohet legjislacioni aktuale me direktivën 2006/11të Këshillit Evropian”, theksoi ajo.

Me disa vërejtje këtë projektligj e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala tha se mbeturina nga industritë nxjerrëse të mineraleve duhet të trajtohen me shumë seriozitet.

“Konsideroj që ne të gjithë me seriozitet të madh duhet t’i trajtojmë këto problematika përveç rëndësisë që ka konsideroj që sponzorizuesi në këtë rast ministria e Mjedisit duhet të ketë edhe faktorët tjerë historik që rrjedhin në këtë lëmi, puna e parë që duhet të merret në trajtesë është ndarja e dy kapitujve bazik që duhet t’i trajtoj që nuk kanë as të kaluar të njëjtë as trajtim të njëjtë dhe nuk besoj që duhet të trajtohen njëtrajtshëm për faktin se një pjesë e madhe e mbeturinave të mineraleve nxjerrëse janë historike…Duhet ta kemi një parastudim që t’i klasifikojmë cilat janë të valorizuese, të riciklueshme dhe të trajtueshme dhe cilat janë në nënkuptim e këtyre minerale”, tha ai.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa tha se edhe kjo parti në parim e mbështet këtë projektligj, por do kontribuojnë që kosto financiare për sektorin privat të mos jetë e paarsyeshme.

“edhe ky është një ligj mjaftë i rëndësishëm për mbrojtjen edhe të ambientit por edhe të avancim të sektorit privat edhe me ligjin kemi të njëjtën vërejtje dhe kontributi ynë do jetë në sigurimin që sektori privat në zbatimin e këtij ligji të mos bart një kosto jo konkurrente dhe të paarsyeshme në zbatimin e këtij ligji”, theksoi ai.

Projektligji për mbeturinat nga industria nxjerrëse e mineraleve përkrahje mori edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në parim e përkrahim shqyrtimin e parë të projektligjit për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve”, u shpreh ajo.

Go to TOP