Kuvendi miraton Ligjin për inspektimet

Me 67 vota për, 10 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Ligjin për inspektimet.

Në seancën plenare me këtë pikë të vetme për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për inspektime, zëvendëskryetarja e Komisionit funksional, Jeta Statovci theksoi se Projektligji për inspektimet është hartuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe është aprovuar nga Qeveria.

Deputetja Statovci tha se qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë parimet e inspektimit, rregullat për rregullimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurat e inspektimit.

“Miratimi i Projektligjit për inspektimet është i nevojshëm për krijimin e një kornize ligjore, të unifikuar për koordinimin e inspektimeve, organizimin e autoriteteve inspektuese brenda organizatës shtetërore, si dhe unifikimin e proceduarave të inspektimit për aq sa është e mundur.

Hartimi dhe aprovimi i një ligji unik për inspektimet është praktikë e zakonshme në shumë shtete të ndryshme. Si pikë fillestare për përmirësimin e mëtutjeshëm të sistemit të inspektimeve. Komisioni për ekonomi në bazë të vendimit të kuvendit hartoi dhe miratoi 29 amendamente.

Komisioni vlerësoi që për Projektligjin për inspektimet t’i paraqet kuvendit këtë rekomandim, të miratohet Projektligji për inspektimet”, theksoi Statovci.

Më 17 dhjetor, në seancën parlamentare është miratuar ky projektligj në parim, i cili është kundërshtuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, subjekt i cili ka kërkuar që ky projektligj të mos bëhet me nguti, por me procedura normale.

Pas miratimit të këtij Ligji për inspektimet, Kuvendi ka mbyllur punimet e seancës plenare.

Go to TOP