Kurti takon aktoren kosovare, flasin për zhvillimet në teatër dhe art

Kryeministri Albin Kurti në profilin e tij në Instagram ka bërë të ditur se ka takuar artisten Kumrije Hoxha me të cilën kanë diskutuar për teatrin dhe artin në Kosovë, për figurat ikonike dhe për sfidat e gruas në teatër.

“Bashkëbisedim i këndshëm sot me Zonjën Kumrije Hoxha, plot me refleksione për Teatrin dhe artin në Kosovë.

Në hyrje të foajesë së Teatrit Kombëtar u prita ngrohtësisht nga ajo te kolazhi i fotografive të shfaqjeve nga shekulli i 20-të përplot me figura të paharrueshme të artit Teatror dhe kujtime nga shfaqjet e shumta.

Bashkëbiseduam shumë rreth zhvillimeve të Teatrit në Kosovë dhe jashtë Kosovës, për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e Teatrit tonë dhe për produksionet e panumërta që ajo i ka realizuar përgjatë karrierës së saj të bujshme”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ndër të tjera kryeministri ka folur për punën dhe kontributin e aktores Kumrije Hoxha në artin kosovar, për projektet e saj dhe për vlerësimet që ajo ka marrë në 47 vite në skenë.

“U njoftuam rreth projekteve të shumta të vitit të kaluar, për shfaqjet dhe filmat e ndryshëm të natyrave, lokacioneve dhe bashkëpunimeve shumë të pasura dhe të ndryshme në tematikë. Ajo na tregoi se po punon me shumë zell dhe në mënyrë të pandalshme. Vetëm në këtë periudhë një vjeçare ka realizuar 9 projekte.

Diskutuam më tej për rolin dhe sfidat e gruas në Teatër dhe në arte në përgjithësi në kohë e periudha të ndryshme, si ishte para 50 viteve dhe si po ndryshon në vazhdimësi.

Kumrije Hoxha vijon të jetë shembull dhe ikonë e trashëgimisë sonë Teatrore dhe Filmike e cila është ende shumë aktive, për çka i urojmë shumë suksese dhe shëndet të gjatë.

Në vitin 2022 ajo u nderua me çmimin për vepër jetësore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 47 vjet në skenë, 47 vjet grua artiste me një jetë plot sakrifica kushtuar skenës dhe artit”, ka shkruar tutje Kurti.

Go to TOP