Kurti takoi përfaqësuesit e Bosnjës, diskutuan për marrëveshjet e Berlinit

Gjatë qëndrimit në Paris, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Željko Komšić dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegonivës, Denis Bećirović, me të cilët biseduan për zbatimin e marrëveshjes së Berlinit për lëvizje të lirë në Ballkan.

Tema qendrore të bisedës, sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, ishte Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon.

Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina.

Kryeministri Kurti, kryetari Komšić dhe anëtari i Presidencës, Bećirović gjithashtu diskutuan rreth mundësive dhe potencialin për shtim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë e të arsimit, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP