Kurti rendit të arriturat e qeverisjes

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar të arriturat Qeverisë që ai udhëheq. Ai renditi të arriturat në një kohë kur çdo herë e më shumë forcat rivale politike përmendin çështjen e zgjedhjeve.

Kurti u ndal në të arriturat kryesore të këtij tre mujori duke filluar nga heqja e vizave në Zonën Shengen për qytetarët e Kosovës, duke e bërë pasaportën  shumëfish më të fuqishme, kur nga 1 e njeh edhe Spanja.

“Vitin e katërt në qeverisje e filluam me lajmin e mirë për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Po vazhdojmë me lajmin tjetër të mirë që morëm dje nga mbledhja e Komitetit për Çështje Politike, në procesin tonë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës – si shteti më i ri në organizatën më të vjetër ndërkombëtare në kontinent. Më 18 prill na pret Asambleja Parlamentare dhe një muaj më pas, në maj mbledhja e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare. Nga të dyja presim lajme të mira, pra që Kosova të anëtarësohet, dy vjet pas dorëzimit të aplikimit. Këto janë vetëm disa prej rezultateve. Sepse puna ka qenë e madhe, e gjatë dhe e pareshtur”, tha Kurti.

Ai në vijim tha se gjatë këtyre tre vjet mirëqeverisje krahas Këshillit të Evropës, vendi ka aplikuar edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që jemi anëtarësuar në gjithsej shtatë organizata ndërkombëtare: ndër to në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYC) e Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Administrative (IIAS).

“Subjektivitetin tonë ndërkombëtar e fuqizuam edhe përmes avancimit të marrëdhënieve bilaterale. Vendosëm marrëdhënie konsullore dhe hapëm misionin e parë në Poloni; hapëm Misionin Special në Selinë e Shenjtë të Vatikanit; vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor; rikthyem marrëdhëniet diplomatike me Palaun pas pesë vjetëve mungesë; ngritëm përfaqësimin në Çeki në nivel të ambasadorit të plotfuqishëm; dhe avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, nga “Zyre e Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” në “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”. Luftuam me sukses fushatën e Serbisë për çnjohje. Kemi mbajtur mbi 40 konsultime politike me vende të ndryshme. I kemi thelluar marrëdhëniet me shumë shtete edhe përmes emërimit të atasheve të mbrojtjes, numri i të cilëve është rritur për 50%. Kemi nënshkruar mbi 230 marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale të karaktereve të ndryshme. Prej tyre marrëveshje bilaterale me vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Austria, Republika Çeke, Portugalia, Luksemburgu, Zvicra e Danimarka”, ka thënë ai.

Si sukses ai veçoi edhe bërjen e objekteve për  ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Senegal, Kroaci dhe Strasburg duke i bërë jo vetëm shtëpi të përhershme të Republikës por edhe për të nderuar marrëdhëniet tona me këto shtete. Në plan për blerje sipas tij janë edhe objektet e ambasadave në Gjermani, Francë, Itali, Kanada dhe Turqi. Kjo është hera e parë që një qeveri që prej shpalljes së pavarësisë bën një investim të tillë që përveçse ka arsyeshmëri financiare ka edhe simbolikë të fuqishme politike.

“E në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës vendosëm ligjshmërinë, shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Kështu, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP