Kurti priti në takim lamtumirës Komandantin e KFOR-it
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur sot në takim lamtumirës Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas, të cilit po i vjen fundi i mandatit në Kosovë.
Duke e falënderuar komandantin e KFOR-it Ulutas për kontributin e shërbimin e tij në fushën e sigurisë, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e ngushtë, komunikimin, koordinimin dhe bisedat përherë të sinqerta e në frymën e sinergjisë për ruajtjen e paqes e sigurisë.
“Në takim u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona të sigurisë e veçanërisht Policisë së Kosovës me Misionin e NATO-s në Kosovë KFOR-in. Kryeministri nënvizoi edhe rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ofrimit të një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kryeministri Kurti shoqërohej në këtë takim nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Për këtë vizitë ka njoftuar edhe KFOR-i, në faqen zyrtare në Facebook.
“Në përfundim të mandatit të tij në krye të misionit #KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş ka zhvilluar sot një vizitë lamtumire te Albin Kurti. Gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe dialogun e fortë të zhvilluar, në mbështetje të përpjekjeve të KFOR-it. Ai gjithashtu ripohoi përkushtimin e palëkundur të misionit për të nxitur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it në OKB.”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/