Kurti pret Rrahmanin, e uron për suksese të mëtutjeshme

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës dhe i Rapid Bucuresti, Albion Rrahmani, është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Njëzet e tre vjeçi që nga transferimi i tij në futbollin rumun ka pasur paraqitje të mira dhe Kurti në takim e ka shfrytëzuar rastin për inkurajimin e tij drejt sukseseve edhe më të mëdha. Rrahmani gjithashtu është grumbulluar disa herë edhe me Kombëtaren e Kosovës. 

“Në tubimin e parë të përfaqësueses sonë të futbollit për këtë vit, ekipit iu bashkua edhe njëri prej futbollistëve më në formë aktualisht, Albion Rrahmani. Albioni gjatë vitit të kaluar u transferua nga Ballkani i Suharekës në Rapid të Bukureshtit. Shumë shpejt u bë sulmuesi i preferuar jo vetëm i tifozëve të Rapidit, por edhe i gjithë Superligës rumune. Sot u takuam me të dhe babin e tij, Driton Rrahmani, njëherësh ikonën e futbollit të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, i cili me shumë pasion po vazhdon ta mbështesë të birin në karrierën e tij në futboll. Me talentin e trashëguar nga familja dhe me punën e tij të pandalshme, Albioni në Superligën rumune sivjet ka shënuar 14 gola në vetëm 16 ndeshje të zhvilluara, duke ecur me hapa të sigurt për t’u bërë golashënuesi më i mirë i kampionatit. Albionit i urova shumë suksese tutje, në veçanti në ndeshjet që do t’i zhvillojë me fanellën e Kosovës”, ka shkruar Kurti. 

Go to TOP