Kurti përkujton civilët e vrarë nga ushtria serbe në Reznik 25 vjet më parë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar civilët e vrarë në Fshatin Reznik të Vushtrisë më 6 prill 1999.
Ai ka theksuar se si ky fshat ishte bërë strehë e civilëve nga Drenica, që ishin të detyruar t’i linin shtëpitë për shkak të granatimeve nga ushtria serbe.
“Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurtë as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë. Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku”, ka shkruar Kurti.
“Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë”.
“Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, thotë Kurti ndër të tjera.
