Kurti: Një grua u vra mizorisht, drejtësia të veprojë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Ferizaj, ku mbeti e vrarë një grua në Qendrën për Punë Sociale dhe u plagos vëllai i saj.

Kurti ka thënë se nuk ka pse t’i dijë detajet dhe se e dënon një krim që po përsëritet, dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje.

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj.

Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe sot në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku një grua është vrarë dhe një i mitur është plagosur. /Kosova.info/

Go to TOP