Kurti në Rahovec premton siguri, sundim të ligjit dhe begati për qytetarët
Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti tubim elektoral në komunën e Rahovecit. Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkatdhetarëve dhe simpatizantëve të partisë u premtoi mbështetje jo vetëm duke rritur sigurinë e sundimin e ligjit gjithandej vendit, por edhe begati.
Krahas rritjes së pagave, pensioneve, shtesave për fëmijë e nënave lehona, dyfishimit të qarkullimit të bizneseve e të investimeve të huaja Kurti në këtë komunë foli edhe për investimet e deritashme dhe premtimet për rritje të mbështetjes për bujqësi.
“Ne jemi të gatshëm që të ju ndihmojmë, mbështesim, e përkrahim me krejt çka dimë, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe atë të begatisë. siguria e mundëson dhe e garanton begatinë, prandaj e kemi sundimin e ligjit gjithandej nëpër Kosovë, prandaj korrupsioni nuk është më në pesë preokupimet e para të qytetarëve të republikës, prandaj edhe në veriun e Kosovës nuk ka më kriminel të mëdhenj, nuk ka më struktura ilegale, por ka rend e ligj, paqe e stabilitet”, tha Kurti.
Duke kërkuar përkrahjen maksimale nga bashkatdhetarë dhe simpatizantë, Kurti tha se në fokus të tij është mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.
“Prej shpërndarjes së shtesave për fëmijë, për nëna lehona, rritjes së pensioneve, rritjes së pagave në sektorin publik dhe privat, dyfishimi i qarkullimit të bizneseve, dyfishimit të investimeve të huaja direkte, të eksporteve, e deri tek mbi 300 milionë eurove për 120 mijë fermer, që të gjitha këto e kanë rrit mirëqenien, pra begatinë në republikën tonë”, shtoi ai.
Kandidati i Vetëvendosjes Albin Kurti, u kërkoi rahovecianëve që të dielën të mbështesin tre kandidatët që vijnë nga kjo komunë dhe jo vetëm, duke ju mundësuar një përfaqësim dinjitoz në Kuvendin e Kosovës pas 28 dhjetorit.
